E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shpreson se mashtroi aleatët dhe Nanon

25-04-2012 / Gazeta 55

Edi Rama me firmën e djeshme sanksionoi politikën mashtruese ndaj ish-aleatëve, ku një ditë i dejonizon e ditën tjetër merr një angazhim, të cilin s’ka ndërmend ta mbajë në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore. Por në të njëjtën ditë, ai ka shpërndarë edhe një gënjeshtër për kandidaturën e Fatos Nanos, duke tentuar që ta qeverisë të majtën, përmes deklarimeve që s’ka asnjëherë ndërmend t’i mbajë
Ruçi: Nano s’ka vota në PS, veç nëse del nga një proces në tavolinën e konsensusit

Edi Rama ka zyrtarizuar dhe nënshkruar dje mashtrimin ndaj partive të vogla të koalicionit opozitar. Për këtë, kreu i PS-së, i thirri dje krerët e partive politike të opozitës në selinë e vet, dhe aty nëpërmjet edhe nënshkrimit të një deklarate të përbashkët, e cila do ti dërgohet komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, zyrtarizmi mashtrimin dhe talljen e tij.
Një ditë më parë, në tryezën e partive të të gjithë spektrit, Edi Rama u bë protagonist me talljet e tij, ndaj krerëve të partive opozitare, duke këmbëngulur se nuk do të kushtëzojë ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Thelbi i nënshtrimit të deklaratës së djeshme të partive opozitare, ka të bëjë me korrektim kombëtar të sistemit aktual zgjedhor. Nëpërmjet kësaj deklarate, kërkesat e të vegjëlve janë reduktuar në tre: ndryshim i formulës për përllogaritjen e mandateve përmes korrektimit kombëtar, ndryshim i pragut elektoral për partitë dhe koalicionet por duke hequr dorë nga përcaktimet e mëparshme, përkatësisht 2 dhe 4 dhe akses për vëzhgimin e procesit zgjedhor të të gjithë subjekteve politike që garojnë në zgjedhje.
Nënshkrimi i deklaratës së djeshme nga partitë e koalicionit të majtë, përveç shoë-t të dirigjuar nga Edi Rama e të realizuar nga Paskla Milo, si “nxënës i mirë”, që kishte marrë përsipër të kryente detyrat e shtëpisë, i kapërceu kufijtë e talljes dhe hipokrizisë.
Prej disa muajsh, Edi Rama ka pasur gjithë mundësitë dhe asetet që në komisionin zgjedhor, t’i parashtronte pretendimet e nënshkruara dje me “solemnitet”. Por prej muajsh ai ka zgjedhur të acarojë aleatët e tij, duke qëndruar në ekstremin tjetër të kresave të tyre.
Dje, si “me një shkop magjik”, pasi një ditë më parë u tall me “seriozitetin” e Paskal Milos në tryezën e partive, apo edhe “diskutimet” e bërë më herët me Skënder Gjinushin, por që në tryezën e dy ditëve më parë atij nuk i kujtohej asgjë, dje nënshkroi një paçavure, që Edi Rama, ka pasur mundësi, por s’ka dashur, ta amplifikojë në komisionin e reformës zgjedhore. Është e dyshimtë, pse dje ndërroi mendje, ndërsa pritet kur do të ndërrojë mendje sërish, për nënshkrimin e asaj deklarate.
Po dje, në grupin parlamentar ka zënë udhë edhe skema e mashtrimit ndaj Fatos Nanos. Kërkesës së Erion Braçes që grupi parlamentar të marrë një vendim politik lidhur me “gabimet politike të Fatosit për 21 janarin”, Edi Rama s’ka mundur t’u japë një përgjigje. Megjithatë, kjo s’e ka penguar Edvinin të qarkullojë një gënjeshtër mediatike, me shpresë se ajo do të mashtrojë edhe vetë Fatos Nanon. Në një tv pranë tij, informacioni “konfidencial” ka marrë vlerën e një qoke të re, që u jepet njëkohësisht të gjithë kandidatëve për president. Në strategjinë e trafikuar, citohen tre pika: “1-PS nuk do të ketë një emër zyrtar te sajin si kandidat për kreun e ri te shtetit. 2-Selia roze nuk do t’i japë firmat për ish-kryetarin e saj Fatos Nano. 3-Socialistët do te votojnë Fatos Nanon si dhe çdo emër tjetër, vetëm nëse ai do te jete si produkt kompromisi i konsultimeve qe pritet te zhvillohen mes PD dhe PS”. Kjo gënjeshtër e shtyn marrjen e një vendimi final për presidencialet tona, por njëkohësisht edhe i tregon vendin Fatos Nanos, si një kandidat, të cilit do t’i duhet t’i rregullojë punët me të tjerët, përpara se të trokasë në derën e Edvinit.
Loja me qoka që u ngjajnë kuajve të Trojës dhe jo dhuratave të sinqerta e ka burimin tek paniku që i vjen nga mosmenazhimi i situatës. Njeriu që asnjëherë s’u mësua me kostumin e politikanit duhet të marrë brenda një kohe të shkurtër dy vendime jetike, atë për sjelljen që do të adoptojë ndaj aleatëve që veç i prishin shikimin si dhe ndaj mentorit të tij politik, për të cilin prej më shumë se një dekade ushqen veç mosmirënjohjen, e cila tashmë i është shndërruar në urrejtje.
    Gramoz Ruçi: Nano s’i ka votat në PS, veç nëse del nga një proces në tavolinë/Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Gramoz Ruçi, e ka nulifikuar brenda ditës skemën e shtyrjes së afatit për marrjen e një vendimi për Fatos Nanon. Në një intervistë për Neës24, duke komentuar këto gjasa, ai deklaroi në mënyrë krejt të prerë: “Çështja e emrave për president është krejt tragjikomike. Për presidentin, në duam një kandidat – jo të PS – por që të jetë konsensual, që të dalë duke u ulur e ndërtuar një proces besueshmërie. Ne s’kemi emra. Jam pro një takimi Rama-Nano, dyert e partisë janë të hapura për të gjithë, por Nano s’i ka votat në PS... vetëm nëse nga një proces i pjekur në tavolinë”. Deklarata ka nulifikuar përpjekjet e Edvinit për të mos e ndarë muhabetin e kandidaturës së Fatos Nanos, përpara sesa të vijë koha, por vullneti i Gramoz Ruçit, si ai i një pijedashësi, që i thotë barku ç’i përmban bardhaku, ka zbuluar kimizmin e vërtetë, atë se Fatos Nano e ka të pamundur të mbërrijë ndonjë konsensus për presidencën, pasi këtë e refuzon në mënyrë të prerë kryetari i PS-së, Edi Rama. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›