PD: Rama po kërkon të dëmtojë zgjedhjet, pasi është i bindur për humbjen e madhe në 23 qershor
Partia Demokratike akuzon kreun e PS se i është kthyer sindromës së vjetër të sulmit ndaj proçesit zgjedhor me moton tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët: “Po nuk fitova unë, zgjedhjet nuk njihen”.
Deklarata e zëdhënëses së PD, Laura Vorpsi
Kryetari i PS, Edi Rama i është rikthyer sindromës së vjetër të sulmit ndaj proçesit zgjedhor me moton tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët: “Po nuk fitova unë, zgjedhjet nuk njihen”. Ashtu sikurse para çdo fushate, qoftë për zgjedhjet parlamentare, qoftë për ato lokale, me të njëjtën strategji Rama po tenton të minojë procesin zgjedhor me akuza dhe mospjesëmarrje në vendimmarrjet që opozita detyrohet t’i zbatojë me ligj. Shqiptarët i mbajnë mend shumë mirë sulmet qe ai u bëri zgjedhjeve lokale të 2007 -ës për certifikatat, të 2009 -ës për kartat e identitetit dhe 2011 -ës për të gjitha. Rama u qa pa arsye për 2007 -ën, u qa pa arsye për 2009 -ën, pa arsye për 2011 -ën dhe nuk ka si të mos qahet pa arsye edhe për 2013 -ën. Edi Rama po kërkon sot atë ndarje mandatesh që e refuzoi pa arsye në KQZ më 23 nëntor. Mjafton vetëm ky moment për të kuptuar jo vetëm papërgjegjshmërinë politike të z. Rama, por edhe paqëndrueshmëri në psikike që i shtohet çdo minutë e më shumë me afrimin e datës së zgjedhjeve të 23 qershorit. Qarja përpara zgjedhjeve i është kthyer në një sëmundje patologjike, të pashërueshme. Sot, sindroma e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve rëndohet akoma më shumë për shkak të “kapsllëkut” politik që po kalon ai vetë dhe partia të cilën ai drejton. Sot, kur ndihet më i vetmuar se kurrë, kur aleatët po e braktisin më me shpejtësi sesa socialistët në Këshillat Bashkiakë në të gjithë Shqipërinë, kur ka ngelur në çarkun që ka ngritur vetë me mosvotimin e 3 ligjeve dhe kur ka zhgënjyer përfundimisht njëherë e përgjithmonë çdo shqiptar kudo ku jeton me mosvotimin e ligjeve të integrimit, Rama po kërkon më shumë se çdo herë tjetër të dëmtojë zgjedhjet, pasi edhe vetë ai është i bindur tashmë për humbjen e madhe më 23 qershor. Shqiptarët, çdo burrë, grua, i moshuar apo i ri, janë dëshmitar se si paranojat e Kryetarit të Partisë Socialiste dhe paburrëria e tij për t’u përballur ndershmërisht në beteja elektorale, e kanë shndërruar atë në goren e vërtetë të çdo procesi zgjedhor dhe në pengmarrësin më të madh të ëndrrës europiane të popullit shqiptar.
...