“Dy vendet tona kanë rrugëtim të përbashkët drejt BE-së”
Kryetarja e Kuvendit takon Kryeministrin e Bosnje Hercegovinës, zoti Nermin Niksic
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti dje në takim Kryeministrin e Federatës së Bosnje Hercegovinës, zoti Nermin Niksic, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Berisha.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo vizitë vjen si një inkurajim i bashkëpunimit edhe më të ngushtë mes dy vendeve tona, që natyrshëm duhet të jenë shumë të afërta.
“Dy vendet tona e kanë projektuar veten në BE dhe ky synim e bën të domosdoshëm bashkëpunimin tonë”, theksoi Kryetarja Topalli.
Nga ana e tij, Kryeministri Niksic u shpreh se “Shqipëria ka një epërsi; ajo është anëtare e NATO-s. Dy vendet tona kanë një rrugëtim të përbashkët drejt BE-së dhe jemi partnerë në arritjen e këtij objektivi. Ne e kemi lakmi infrastrukturën tuaj rrugore, theksoi Niksic, dhe në këtë fushë po ecim sipas modelit tuaj”.
Në takim u diskutua për forcimin e shkëmbimeve ekonomike. Kryetarja e Kuvendit tha se është një lajm shumë i mirë për qytetarët dhe për biznesin, diskutimi për lëvizjen midis dy vendeve vetëm me Karta Identiteti, si dhe hapja e Ambasadës së Bosnje Hercegovinës në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se shkëmbimet e vizitave parlamentare, jo vetëm në nivele të larta por edhe të komisioneve e grupeve të deputetëve janë një instrument shumë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve. Duke folur për çështjet rajonale, Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe në çështjen e Kosovës, duke theksuar se pavarësia e saj po i shërben stabilitetit në rajon.
“Kosova po konsolidon shtetin ligjor dhe e ardhmja e saj, ashtu si e vendeve të Ballkanit është në BE”, theksoi ajo.
Ndërsa më herët kryeministri i Federatës së Bosnje Hercegovinës, zoti Nermin Niksic u prit në një takim nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto. Ata shoqëroheshin nga drejtues të kompanisë boshnjake Energoinvest d.d Sarajevo.
“Ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera politike mes dy vendeve që po reflektohen edhe në fushën ekonomike”, tha Haxhinasto gjatë takimit.
Ministri Haxhinasto dhe Kryeministri Niksic u shprehën për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve sidomos në fushën ekonomike, shkëmbimet tregtare, turizmit apo agrobiznesit. Më pas ai takoi dhe ministrin e Punëve Publike, Sokol Olldashi, pati me kryeministrin e Federatës së Bosnjë Hercegovinës, Nermin Niksic. Kryeministri Niksic deklaroi se Bosnja po përpiqet të implementojë modelin e Shqipërisë në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, ndërkohë që ministri Olldashi ofroi gatishmërinë e institucionit që drejton për të vënë në dispozicion të gjithë eksperiencën e mbledhur prej stafeve teknike të MPPT dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar në këto 8 vite.
Për sa i përket njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve mes të dy vendeve, të dy zyrtarët u angazhuan të përshpejtojnë procedurat, nisur edhe nga fakti që shkëmbimet turistike mes Shqipërisë dhe Bosnjës kanë nisur të konsolidohen.
Sipas statistikave zyrtare, vitin e fundit 29 mijë qytetarë shqiptarë vizituan Bosnjën dhe 31 mijë boshnjakë vizituan Shqipërinë. Ky numër pritet të rritet veçanërisht gjatë verës, për shkak të interesimit në rritje të operatorëve turistikë boshnjakë për plazhet dhe infrastrukturën turistike të Shqipërisë.