PD: Rama të pranojë vendimet e gjykatave për gjobat. Rama: Vendimet e trasha të gjykatave nuk mbrohen
Deputetja e PD-së, Arenca Trashani, me anë të një deklarate për shtyp, ka thënë se Rama duhet të respektojë vendimet e gjykatave dhe jo t’i sulmojë ato, pas gjobave të vendosura ndaj deputetëve të PS-së.
“Të gjithë politikanët kanë përgjegjësi për respektimin e shtetit ligjor dhe respektimin e vendimeve të gjykatave. Ata duhet të japin shembullin e tyre në marrëdhënien me gjyqësorin, qytetarët e meritojnë një gjë të tillë dhe bashkësia ndërkombëtare pret pikërisht këtë”, tha Trashani.
Standardet europiane, sipas Trashanit, na mësojmë se në vend që të akuzojmë gjyqtarët, më mirë të pranojmë vendimin e gjykatës.
“Halli i zotit Rama nuk është dënimi i atyre deputetëve, që nga përfaqësues i ka kthyer zyrtarisht në shpifës përsëritës, por frika e rrëzimit të shpifjeve”, përfundoi deklaratën e vet Trashani.
Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Rama, duke thënë se Trashani lexon trashë deklaratat që ja vënë para për të lexuar.
Zonja Trashani fort trashë i bie kur mbron vendimet e trasha të gjykatësve që trashanikisht dënojnë opozitën. Po zonjës Trashani ia vënë në gojë këto trashësi që trashen përditë si zullumi që po këputet e ajo i reciton nëpër gjumë!, deklaroi Rama.