Berisha uron Papadhimas: Kam bindjen se do ta zgjidhni krizën ku keni hyrë
Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram urimi kryeministrit të sapozgjedhur të Greqisë, Lukas Papadhimas, me anë të së cilit shprehet se ka besim në zgjidhjen e krizës greke.
I nderuar Zoti Kryeministër,
Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj në pozicionin e Kryeministrit të Greqisë dhe krijimit të qeverisë së bashkëpunimit, t`Ju përcjell në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në detyrat e vështira, por jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin dhe kombin Tuaj fqinj e mik.
Kam ndjekur me vëmendje përkushtimin, vizionin dhe vendosmërinë Tuaj profesionale, ndaj ruaj bindjen e thellë se përzgjedhja Juaj në krye të qeverisë, në këtë situatë delikate financiare për vendin Tuaj, do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin e saj dhe në ecjen përpara me reformat e nevojshme për ta kthyer Greqinë në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm.
Gjej rastin t`Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur dhe të angazhuar për t`i forcuar edhe më tej marrëdhëniet e mira ndërmjet të dyja vendeve tona, si dhe për të zgjeruar e forcuar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë, thuhet në telegramin e Berishës drejtuar Lukas Papadhimas.