PD, Shehu: Rama, humbësi i bojkotit dhe i grevës
Vetëm 24 orë pas mbylljes së takimit në Strasburg mes dy krerëve të politikës shqiptare, demokratët gjykojnë se kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte i vetmi i humbur nga gjithë kjo histori bojkoti, protestash e grevash. Sipas deputetit të PD-së, Tritan Shehu, ndërhyrja e ndërkombëtarëve ishte një tentativë për të zgjidhur pikërisht krizën personale të Edi Ramës. "Greva u mbyll se dështoi duke qenë pjesë e një strategjie prej disa muajsh që lidershipi i lartë i PS-së ka ndërmarrë në partinë e tyre për të krijuar një situatë destabilizimi. Por nuk është vetëm greva, mua më duket se dështoi gjithë strategjia e ngritur nga lidershipi i PS-së në këtë periudhë", - tha Shehu. Në kushtet kur kompromisi në Strasburg nuk u arrit, Shehu thotë se zgjidhja vjen vetëm nëse kryetari i socialistëve të trokasë në derën e duhur. "Nëse Kryeministrit i kërkohet diçka që nuk varet nga ai, nëse mazhorancës i kërkohet diçka që nuk varet nga ai, pa dyshim këtu problemi nuk është i mazhorancës, por i atyre që trokasin në derën e gabuar dhe mendoj se ata duhet të orientohen drejt dhe të trokasin në derën e nevojshme dhe që është sistemi i drejtësisë", - deklaroi deputeti i PD-së, Tritan Shehu.