LDSH, Lesi: 10 vjet burg kush prek votën
Lidhja Demokristiane e Shqipërisë i bën thirrje klasës politike në vend që pas mbylljes së grevës së urisë së socialistëve, të hartojë ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor. Nisur nga kjo, LDSH propozon që çdo parti politike, pjesëmarrëse në zgjedhje, të ketë të drejtë që të kërkojë hapjen dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Një tjetër propozim i LDSH-së është ndëshkimi me 10 vjet burg për çdo komisioner dhe numërues që rezulton se në qendrën e votimit ku ai është përgjegjës, ka vota të vjedhura. Propozimi i tretë i Lidhjes Demokristiane të Shqipërisë, të kryesuar nga Nikollë Lesi, është që komisionerët e qendrave të votimit dhe anëtarët e numërimit të votave të mos jenë pjesëtarë të partive politike.