PE, Kasoulides: Një tjetër takim Berisha-Rama
Europarlamentari Ioannis Kasoulides ka besim të plotë tek një kompromis politik dhe shprehet optimist pas takimit Berisha-Rama në Strasburg se liderët shqiptarë do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje të ngërçit politik. Në një intervistë për seksionin shqip të BBC-së, z. Kasoulides bëri të ditur se takimi ishte nismë e dy grupeve më të mëdha në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane dhe grupet Socialiste e Demokrate dhe Strasburgu ishte zgjedhur jo më kot si vend takimi, por për simbolikën e tij si qyteti i pajtimit në Evropë. Europarlamentari konsideron se është bërë përparim, çka e shtyn të ndihet optimist se kur udhëheqësit të takohen përsëri, siç u vendos, brenda dy ose tri javësh, do të ketë një marrëveshje dypalëshe që do ti japë fund situatës së krijuar në vend. Kasoulides nuk dha detaje për atë çfarë është vënë në tryezë. Ai foli vetëm për ide se si mund të zgjidhen çështjet që ngrihen për momentin në Shqipëri në një mënyrë të kënaqshme që sistemi parlamentar të punojë pa pengesa.
"Unë mendoj se kështu u veprua edhe mbrëmë", - tha ai, duke theksuar edhe një herë se është shumë e rëndësishme që të dy liderët po e kërkojnë një zgjidhje, ndaj ajo mund të arrihet.