PD: Veliaj mashtron me ndërtimin e shkollave

Shefja e komunikimit të fushatës të PD-së për Tiranën, Mirela Karabina, ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, lidhue me ndërtimin e shkollave.
Sipas saj, Veliaj, ka disa ditë që në takimet elektorale, në media e kudo tjetër, nuk lë rast pa përmendur faktin se ka ndërtuar 40 shkolla pa specifikuar dhe qartësuar të vërtetën rreth tyre.
“Ky është një mashtrim i radhës i Erion Veliajt, i cili mashtrimin dhe manipulimin e opinionin publik e ka kthyer në profesion prej 8 vitesh që drejton Bashkinë e Tiranës. “- thotë Karabina në një deklaratë për mediat.
Sipas saj, Veliaj,i cili mban rekordin e politikanit që bënë çdo gjë të kundërt e asaj që premton dhe thotë, edhe në këtë rast, mashtron çdo ditë qytetarët e Tiranës për sa i përket ndërtimit të shkollave të reja.
“Përgjatë viteve 2016-2023, 34 shkolla ekzistuese janë shembur e rindërtuar dhe rikonstruktuar duke mos rritur kapacitetin e shërbimit të Arsimit parashkollor dhe Arsimi Parauniversitar. Vetëm 9 shkolla të reja të shtuara janë ndërtuar, dhe këto në zonat periferike urbane: shkolla ¨Vaçe Zela¨ në Don Bosko, Shkolla ¨Kristo Frasheri¨ Don Bosko, shkolla ¨Nene Tereza¨ në Kamëz, shkolla ¨Jon Kenedi¨ në Kamëz, shkolla ¨Vangjel Noti¨ në Laprakë, shkolla ¨Bashkim Fino¨ në Qytetin Studenti, shkolla ¨Kiço Blushi¨tek 5 Maji, Shkolla e mesme 5 Maji, shkolla ¨Luan Hajdaraga¨ tek Fresku. Një numër totalisht i pamjaftueshëm për qytetin e Tiranës në raport me rritjen e popullsisë së qytetit. Veliaj gënjen “ditën për diell”, kur thotë se nuk ka më shkolla me turne. Familjet shqiptare, prindërit e dinë fare mirë se mësimi ende në shumë shkolla vazhdon të kryhet me dy dhe tri turne, pasi dendësia e nxënësve nuk e lejon zhvillimin e mesimit normal.”- thuhet në deklaratën e PD-së.
Sipas saj, Veliaj me buxhetin e madh që ka patur Bashkia Tiranë, nga fondet qeveritare për rindërtimin nga tërmetit, me fondet e partnerëve ndërkombëtare dhe me taksën anti-kushtetuese për arsimin, ende nuk ka përfunduar rindërtimin e shkollave.
/rtsh.al/