E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjiknuri: Elbasani do të hyjë në hartën ndërkombëtare të turizmit

Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri, deklaroi se ky qytet, do të hyjë në hartën ndërkombëtare të turizmit, falë edhe investimit gjigand, siç është ai i Automotoparkut.

Sipas tij, ky investim i qeverisë shqiptare nuk synon thjeshtë garat me makina, por zhvillimin ekonomik të Elbasanit dhe promovimin e tij.

Gjiknuri u shpreh se në këtë Automotopark do ketë evente të ndryshme dhe do të bëjë që Elbasani të ketë një markë dhe të vijnë ta vizitojnë shumë e shumë njerëz.

“Natyrshëm që Elbasanin do ta fusë në hartën ndërkombëtare të turizmit sepse do të zhvillohen shumë më shumë evente ndërkombëtare dhe qytetit vërtet i jepet një markë. Kjo do të bëhet e mundur falë mbështetjes dhe financimit nga qeveria shqiptare”, tha Gjiknuri.

Drejtuesi politik i PS nënvizoi se Gledian Llatja, kandidati socialist për kryebashkiak, ka të gjithë mbështetjen e PS dhe të kryeministrit Rama për të çuar përpara projektet, ndërsa kandidati përballë përfaqëson vetëm Saliun dhe Ilirin.

“Kemi një kundërshtar, i cili në fund të fundit ka atë dyshen që ai s’do ta pranojë, kjo është e vërteta. Pavarësisht se kur vjen Luçi këtu, ai thotë që: -“Unë jam këtu si ju”. Por politikisht përfaqëson ata dy njerëz, Saliun me Ilirin. Kjo është e vërteta. Këtu kam dëgjuar që thotë e kam garë personale. Nuk ka garë personale, garat janë politike. Kundërshtari deri tani ka thënë fjalë në erë, mashtrime të mëdha publike, si ato fantazitë që do të bëjë një Disneyland në Elbasan, apo që do të bëjë një studio filmi në Elbasan. Gjëra të tilla të them të drejtën të ofendojnë inteligjencën“– theksoi Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve u shpreh se e ardhmja e Elbasanit është e sigurt me vizionin e Gledian Llatjes dhe mbështetjen e qeverisë.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, vuri në dukje se shëtitorja buzë Shkumbinit do të jetë hapësira më e madhe e gjelbëruar e Elbasanit me ambiente çlodhëse për çdo moshë.

Llatja deklaroi se në 4-vjecarin e ardhshëm do të vijojnë punët e mira për zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›