PD: Vreri i Ramës do të marrë fund në 8 maj
Partia Demokratike ka reaguar sot lidhur me akuzat e selisë rozë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Në një konferencë për shtyp zëdhënsja e PD-së Albana Mustafaraj theksoi se Rama po nxjerr vrerin e radhës të akuzave, shpifjeve dhe trillimeve, kundër arritjeve në ndërtimin e infrastrukturës moderne në Shqipëri.
“Njeriu që shpalli korridorin e kombit që bashkon Shqipërinë me Kosovën si “rrugën e asgjëkundit”, që kundërshtoi me egërsi të paparë tunelin dhe autostradën që bashkon Tiranën dhe Elbasanin, sot sulmon ndërtimin e rrugëve rurale dhe inaugurimin dje të 28 km rrugë që lidhin komunat Strumë, Zharsë, Kuman me Fierin dhe Beratin, dhe u shërbejnë rreth 15 mijë banorëve të njërës prej zonave bujqësore më të fuqishme të vendit e që në të vërtetë ka një gjatësi mbi 2 herë më të madhe se të gjitha rrugët e asfaltuara këto 4 vite në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të marra së bashku nga shoku Rama”, thuhet në deklaratë.
Sipas Partisë Demokratike shpifjet, trillimet dhe akuzat do të marrin përgjigjen e merituar më 8 maj, ndërsa mazhoranca do të inagurojë me mijëra kilometra rrugë e tunele në të gjithë Shqipërinë.