E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Zonja e bulevardit i mbylli Ramës 41 dosje

TIRANË- Përpos thirrjes së vazhdueshme të ndërkombëtarëve, për të mos sulmuar institucionin e Prokurorisë, Partia Demokratike, çdo ditë po akuzon ashpër Ina Ramën, për qëndrim të njëanshëm dhe amoral, gjatë kryerjes së hetimeve për ngjarjen e dhunshme të 21 janarit, para Kryeministrisë. “Prokurorja Ina Rama, apo siç e thërrasin bllokmenët e rinj "heroina e tyre", ka nxjerrë në tregun e mediave opozitare, dokumente të dosjes së grushtit të shtetit të 21 janarit. Në një amoralitet të plotë profesional, e vendosur të bëjë gjithçka për të rrënuar hetimin, "shoqja e bulevardit" dërgon në selinë e Partisë Socialiste çdo darkë dokumentet e hetimit, vetëm e vetëm që të mund të mbrojë në këtë proces të shkatërruar, pinjollët e Ben Alive, Gedafëve, Mubarakëve, që përmbysëm në vitin 91”, tha dje deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku. Ajo theksoi se, Prokurorja e Përgjithshme i ka mbyllur kryetarit të opozitës 41 dosje. Duke përdorur shprehjen ”shoku i bulevardit”, PD-ja ka sulmuar dje edhe Presidentin e Republikës, duke e akuzuar se ka qenë pjesë e planit të opozitës, për të garantuar një mandat të dytë Presidencial. “Shoqja e bulevardit", që ka mbyllur 41 dosje të Edvin Ramës, për afera korruptive, që shkojnë qindra miliona euro, me botimin që bën çdo ditë të dokumenteve të grushtit të shtetit të 21 janarit, mendon se do të mbyllë edhe këtë krim të bllokmenëve të rinj, vetëm e vetëm se ajo dhe "shoku i bulevardit" kishin vendosur mbi të mandatet e tyre të dyta. “Shoqja e bulevardit" nuk mund të hetojë organizatorët e grushtit të shtetit, sepse bijtë e Ben Alive, Gedafëve e Mubarakëve që përmbysëm 20 vjet më parë, janë jo vetëm organizatorët e këtij grushti shteti, por dhe autorë të organizimit të dhunës dhe vrasjes sw viktimave, që i përdorën si mish për top për karrigen e tyre”, - tha Bulku. Ajo shtoi se: “Jam këtu dhe për t’i kujtuar zonjës prokurore, se asgjë s’do të shpëtojë ty dhe ata që të urdhërojnë ty, për të prishur një proces kaq vendimtar, për paqen dhe stabilitetin e vendit”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›