E Diel, 1 Nëntor 2026

Për një Tiranë të sigurt europiane, Basha shpall sloganin kundër krimit

Tiranë- Tashmë rrugët dhe zonat më problematike të Tiranës për numrin e madh të krimeve të kryera, do të jenë në survejim, 24 orë në 24, nga ana e Policisë së Shtetit, me anë të 400 kamerave që priten të instalohen brenda këtij viti. Vendosja e këtyre kamerave, do të mundësojë identifikimin në kohë dhe parandalimin e krimeve në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake mësohet se këto kamera do të instalohen në “pikat më të nxehta” të Tiranës, duke përfshirë këtu rrugët hyrëse e dalëse të kryeqytetit, sheshet kryesore, qendrat tregtare, shkollat, bankat, por edhe në periferitë e Tiranës, ku shënohet dhe numri më i madh i krimeve të kryera. Referuar këtyre të dhënave mësohet kamerat do të vendosën në: kryqëzimin e “Zogut të Zi”, kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, Sheshin “Skëndërbej, Sheshin “Nënë Tereza”, Sheshin “Italia”, “Rrugën e Durrësit”, “Rrugën e Kavajës”, “Rrugën e Elbasanit”, “Rrugën e Dibrës”, zonën e ish-Bllokut, si edhe në disa zona periferike si Laprakë, Kombinat, Kinostudio, Allias, Yzberisht etj, ku vitet e fundit është vërejtur një përqendrim i madh i krimit të rrugës.

Ka qenë vetë Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili gjatë ditës së djeshme prezantoi projektin për krijimin e sistemit të videosurvejimit për të gjithë territorin e Tiranës. Projekti, i ideuar me objektivin “Për një Tiranë të sigurt europiane” u prezantua në prani të përfaqësuesve të pushtetit vendor, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, universiteteve, institucioneve bankare, shoqërive të sigurimeve e shoqërive të biznesit. “Parandalimi i krimit, zbulimi dhe ndjekja e tij, goditja dhe dokumentimi i tij, do të kenë nëpërmjet këtij sistemi mbështetjen më të avancuar që teknologjia bashkëkohore ofron sot” - u shpreh Ministri Basha. Informacioni që ofron sistemi do të përcillet në kohë reale në qendrën operative, e cila e përcjell gjithashtu në mënyrë të menjëhershme tek forcat policore në terren, por edhe shërbimit shëndetësor, shërbimit zjarrfikës dhe shërbimeve të tjera, nëse do të jetë e nevojshme. “Ky sistem do të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme sigurinë publike pranë shkollave, ambienteve publike, qendrave të biznesit dhe në rrugët e Tiranës, dhe gjithashtu do të operojë në kushtet e mbrojtjes së privacisë së qytetarëve, bazuar në normat dhe standardet e Bashkimit Europian”, – deklaroi Basha.

Projekti për vëzhgimin e territorit të Tiranës do të fillojë menjëherë nga zbatimi dhe faza e parë e tij do të përfundojë në muajin nëntor. Ky projekt do të adoptohet më tej edhe në qendra të tjera të mëdha të vendit, në Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Korçë dhe Elbasan. “Bashkëpunimi i policisë me komunitetin dhe në shërbim të komunitetit, është dhe mbetet rruga e vetme për të shënuar suksesin e këtij projekti, për forcimin e mëtejshëm të rendit dhe sigurisë publike, për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vendit”, – tha ministri Basha. Ndër të tjera, ai u shpreh se përdorimi në rritje i teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimi i shërbimeve, mundësuan arritje të mëdha për qytetarët shqiptare, ndër të cilat më e prekshmja lëvizja e lirë në zonën Shengen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›