E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI, negociata të vështira për Bashkinë e Durrësit

Mazhoranca është ende pa një emër kandidati zyrtar për Bashkinë e qytetit të Durrësit. Negociatat e deritanishme, midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk kanë arritur të konkretizohen në një marrëveshje për zgjedhjet lokale të 8 majit. Burimet pranë koalicionit qeverisës thanë për “Mapo” se “Durrësi vazhdon të jetë i pavendosur dhe të dyja forcat PD e LSI, preferojnë të kenë kandidatin e tyre”. Mësohet se gjatë javëve të fundit ka pasur bisedime intensive midis dy partive kryesore të koalicionit, ku janë diskutuar zonat e lira që demokratët do t’i lënë partisë së Ilir Metës. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka kërkuar disa herë publikisht Bashkinë e Durrësit, duke shfrytëzuar edhe faktin se votat e kësaj partie janë të konsiderueshme, në lëkundjen e peshores elektorale në këtë qendër qarku. Deputeti aktual i LSI-së, Lefter Koka, njëkohësisht ish-kryetar i Bashkisë së Durrësit, është emri më i lakuar si garues, nën siglën e koalicionit qeverisës. E gjithsesi duket se brenda eksponentëve të Partisë Demokratike ka ambicie, për të pasur një kandidat blu në këtë Bashki, që konsiderohet si më e rëndësishmja pas kryeqytetit. Gara elektorale e 8 majit në Durrës merr një tjetër vlerë, pasi aktualisht kjo bashki qeveriset prej Partisë Socialiste.

Emri i kryetarit aktual të Bashkisë, Vangjush Dako, është lakuar në radhët e socialistëve, për mundësinë e rikandidimit për një mandat të dytë, por gjithsesi ende nuk ka një shpallje zyrtare. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste dhe në përbërje të së cilit ishte edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, arriti të grumbullojë në territorin e Bashkisë së Durrësit plot 19,097 vota. Përkundrejt kësaj shifre, koalicioni i drejtuar në atë kohë nga Partia Demokratike, që ndodhej në pushtet, mori vetëm 18,789 vota. Bazuar mbi këtë rezultat të ngushtë, mandatin e kryetarit të Bashkisë për vitet e ardhshme e mori socialisti, Vangjush Dako. Nëse shohim votat e hedhura në territorin e bashkisë, në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit 2009, shohim se gjithçka ndryshon. Nëse më 28 qershor do të votohej për pushtetin lokal, koalicioni i socialistëve do të merrte 27,548 vota.

Grupi i partive pjesëtare të koalicionit të Partisë Demokratike do të mund të grumbullonte një numër prej 30,456 votash. Kjo diferencë prej rreth tre mijë votash mund të ndryshonte, nëse do të kishte një aleancë PS-LSI, por duke marrë për bazë konfigurimin aktual të parlamentit dhe koalicionit qeverisës, 4,834 votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si koalicion më 28 qershor 2009, do duhen llogaritur në krahun e djathtë. Rrjedhimisht, PD-LSI do të arrinte 35,290 vota, ndërsa Partia Socialiste vetëm 27,548 të tilla. Bazuar mbi këto shifra, selia rozë rrezikon të humbasë drejtimin e kësaj bashkie shumë të rëndësishme. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›