E Diel, 1 Nëntor 2026

PD akuzon Gjykatën e Tiranës për mosdhënien e listës së të arrestuarve avokatëve

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo akuzoi nënkryetaren e Gjykatës së Tiranës, Migena Laska, se ka urdhëruar të mos u vihet në dispozicion avokatëve lista e personave të arrestuar gjatë protestës, të cilët pritet të paraqiten nesër në gjykatë për caktimin e masave të sigurisë.

Në një deklaratë për mediet, Garo tha se avokatët e protestuesve të ndaluar nga policia gjatë protestave të ditëve të fundit kanë ngritur shqetësimin për mosvënien në dispozicion të listës së personave që do të paraqiten për masë sigurie.

“Ky është vendimi më i pashembullt në historinë e drejtësisë”, deklaroi Garo.

Ajo e cilësoi këtë veprim si shkelje të së drejtës për mbrojtje efektive.

“Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtës për mbrojtje efektive. Me sa duket, ajo ka marrë urdhër politik që të përjashtojë kështu avokatët e zgjedhur nga të ndaluarit dhe t’u emërojë atyre avokatë patronazhistë”, tha Garo.

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë shkelje të rëndë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit!”, u shpreh Garo.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›