PD, apel Ramës: Komisionerët e PS-së mos të braktisin numërimin
TIRANË- Partia Demokratike i ka bërë apel liderit të socialistëve Edi Rama, të porositë komisionerët e majtë që të qëndrojnë deri në fund në procesin e numërimit të votave dhe të mos braktisin komisionet. Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, zëdhënësja Majlinda Bregu ka deklaruar se përfaqësuesit e PS-së në KZAZ në Shkodër e Durrës, po braktisin numërimin e votave.
"Nuk dimë nëse është lodhje nga frika e dështimit, apo fizike, por jam këtu që t'i bëj thirrje të ndjekin procesin, pasi kjo është garanci për votat e tyre dhe është detyrë që e kanë marrë përsipër duke respektuar deri në fund ligjin"- tha ajo.
Ajo është shprehur optimiste për rezultatin, duke theksuar se fitorja e PD-së po konsolidohet dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Bregu ka shtuar më tej, se "Rama do i përmbahet deklaratës se djeshme se në vend kanë fituar standardet dhe ai vetë nuk ka asgjë për të kundërshtuar këtë proces zgjedhor".
Në fund, ajo ka përsëritur edhe njëherë thirrjen për komisonerët që të kthehen në vendet e tyre për të mos bllokuar procesin.