PD dhe nevojat personale të Berishës
Nuk dua të merrem me etiketimet bajate të Sali Berishës, pasi ato është mirë t’i botosh për të kuptuar shqiptarët degradimin e kryeministrit të tyre. Por dua të ndalem te dy probleme që realisht janë domethënëse në sjelljet e tij të fundit politike: përdorimin e institucionit të PD për nevoja personale dhe përpjekja e tij për të kërcënuar çdokënd që prek me akuza ose pyetje publike aferat e djalit të tij.
E para është përdorimi i zëdhënësit të PD për të mbrojtur familjen ‘Berisha’ nga akuzat që i bëhen asaj. Ne nuk kemi ngritur akuza ndaj zotit Berisha, por kemi ngritur pyetje ndaj tij. Thjesht e kemi pyetur kush e ka emëruar shofer në shërbimin tonë diplomatik personin që u kap me një kilogram heroinë në makinën e ambasadës. Lidhjet e tij me njeriun më të afërt të djalit të Sali Berishës na japin më shumë të drejtë të pyesim zotin Berisha për këtë gjë. Ky zotëri, në vend që të përgjigjet si njeri normal ose si kryeministër normal, përdor zëdhënësin e Partisë Demokratike për interesa personale dhe familjare. Nëse e rëndojnë diçka zotin Berisha këto pyetje, e rëndojnë si kryeministër dhe ai, nëse do të përgjigjet le të nxjerrë zëdhënësen e tij në qeveri. Ne e dimë dhe ia kemi pranuar që PD e ka parti personale, por nuk ka arsye që atë ta përdorë dhe për halle familjare. Kështu që para se të quajë gazetën “TemA” gazetë personale, duhet të bëjë kujdes të mos përdorë si letër higjienike për nevoja personale PD dhe zëdhënësin e saj, që nuk shikon dot nga kamera, kur lexon marrëzitë e diktuara në deklarata. Sjellja politike e Berishës me atë që quhet institucion i PD është shumë denigruese dhe nga pikëpamja formale. Ajo tashmë po përdoret si bunker nga ku hapet zjarri ndaj kujtdo që prek interesat e trafikantëve të drogës, trafikantëve të armëve, trafikantëve të naftës, mafies së privatizimeve dhe koncesioneve dhe që kanë gjithmonë, për fat të keq, një lidhje me familjen Berisha. Për trafikantin e drogës ne presim një përgjigje të qartë nga Lulëzim Basha ose nga kryeministri dhe jo nga zëdhënësi i PD, ky i fundit nuk ka asnjë lidhje me të.
Problemi i dytë që duhet t’i bëjmë të qartë zotit Berisha, është problemi i agresivitetit patologjik që ai përdor kundër kujtdo që i përmend ndonjë përzierje të djalit të tij në punë të pista, me shpresë se kështu mund t’u mbyllë gojën atyre që akuzojnë. Për fatin e tij të keq kjo gjë mua vetëm sa më inkurajon të merrem më shumë dhe çdo ditë me këto histori. Dhe, meqë jemi këtu, duhet të sqarojmë, për lexuesit, pse është i tërbuar zoti Berisha pas kërkesës sonë për të hetuar mënyrën si ka depërtuar trafikanti i drogës në shërbimin diplomatik shqiptar. Trafikanti është njeri i familjes së Rrahman Selmanllarit, i cili është shoku më i ngushtë prej dhjetëra vitesh i Shkëlzen Berishës. Kjo është një shoqëri dhe miqësi e pranuar familjarisht dhe unë jam dëshmitar i kësaj miqësie, të cilën nuk dua ta paragjykoj. Sali Berisha le të dalë në televizion personalisht, siç del përditë, të shikojë nga kamera dhe t’u thotë shqiptarëve që djali im, Shkëlzen Berisha, nuk ka asnjë lidhje me këtë njeri. Nëse merr guximin dhe e thotë, atëherë nuk kemi më punë me të, por thjesht do t’i kthjellojmë kujtesën.
Në momentin që ky biznesmen është miku më i ngushtë i djalit të tij dhe njeriu i tij kapet me drogë, ne kemi arsye të plota të pyesim Sali Berishën mos i është përzier djali në këtë histori. Ai, nëse ka qetësinë e duhur, mund të thotë thjesht “jo, nuk është përzier”. Ka po ashtu shumë fakte që i njëjti biznesmen është ortak në ndërtime me Mihal Delijorgjin dhe ka marrë pjesë në punët e tij me fishekët kinezë në Rinas. Është po ashtu e verifikuar se i njëjti biznesmen ka patur përplasje me biznesmenë të tjerë për kontrata ndërtimesh nga Liqeni Artificial dhe ka përdorur emrin e djalit të tij për të hapur rrugë. Është po ashtu e sigurt se disa qindra hektarë tokë në bregdetin shqiptar janë në objektivin e tij, po ashtu duke përdorur emrin e djalit të Sali Berishës. Unë nuk trembem t’i them këto, dhe pse Sali Berisha shkumëzon. Unë skuqem, vetëm kur shikoj që kryeministri ka degraduar dhe, në vend të përgjigjeve që duhet të japë si kryeministër, flet përçart dhe turpëron dhe fëmijët e tij. Ai duhet të ketë guximin të përballet me miqësitë e djalit të tij, pasi ato po prodhojnë interesa të dyshimta në këtë vend. Ai nuk ka pse nxehet. Nëse është i papërzier, le të ruajë qetësinë, siç e ka pas ruajtur më parë dhe t’i injorojë akuzat ose t’i përgënjeshtrojë ato normalisht. Tashmë që kritikët e tij ia kanë kuptuar këtë pikë të dobët, ata do të përqendrohen më shumë se kudo tjetër këtu dhe kjo do ta bëjë atë karikaturë në opinionin publik duke i rënë më qafë pa të drejtë pushtetit të PD dhe së djathtës, dhe duke e sakrifikuar atë për pasionet e tij familjare.