Kush frigohet nga Guernika*
Herën e parë isha vonuar një minutë.
Të dytën kishte qenë ditë pushimi.
Ndërsa herën e tretë më priti një befasi…
Gjatë natës kishte ndodhur diçka e papritur.
Në mëngjes, Guernika u gjet e mbuluar me plastikë të zezë, të këputur nga keset dhe thasët e bërllogut.
Roja Mjegull dhe Roja Njeri nuk kishin parë asgjë dhe nuk kishte dëgjuar asgjë.
Kjo ngjarje tashme, e largët nganjëherë, di të komplikohet.
Për ta kuptuar si vepër arti s’kemi kohë. Intrigat rreth saj kanë ardhur nga ana e errët e hënës.
*
Në Sallën e Madhe, të figurave diplomatike, aty ku askush nuk mund të hyjë apo të dalë pa u ballafaquar me Guernikën, prapë tri silueta.
Nga ajo ditë edhe unë kam ndryshuar.
Te Muri i Zotit, me kokë skifteri, në profil, në reliev ra mjegulla.
Për ta kaluar Rubikonin paraqitet një kusht. Aty kishte diplomatë, gazetarë, spiunë, por nuk u tha asnjë fjalë.
Figurat kryesore të diplomacisë janë tipa që shohin larg. Ideali i tyre, si vlerë, si përsëritje është botë e vogël.
Tash Guernikën nuk mund ta shohin as ata që kanë udhëtuar për ta parë si vepër arti, si luftë apo sekret politik. Për ta kuptuar nuk mjafton vetëm bota e kësaj bote.
Para kësaj befasie heshtë edhe luani.
Për ta veshur këmishën e gjarpërit u paraqit njeriu. Pas një udhëtimi të gjatë në fund të bisedës njohja me vetveten nuk është parashikuar.
Dikujt shekulli i luftës iu ka mërzitur.
*
Gurët e mozaikut nuk janë vetëm gurë të mozaikut. Për t’i kthyer në vendin ku kanë qenë, jan; tre milion arsye. Sa kohë na duhet për ta kuptuar ketë trimëri nuk e di askush. Të gjithëve po na pëlqen të jemi një vazhdim.
Në historinë tonë, mbreti si mbret, përmendet shumë rrallë. Për ta kuptuar kalon edhe një shekull. Mandej vijnë gjërat që s’kanë të mbaruar. Në kohën që nuk ishte aq heroike Artisti më doli përpara e më pyeti:
-Ku ishe ti? Nisu dhe shko!
Në mes të detit era më ndihmoi.
Me kalin e Guernikës ka ndryshuar edhe mënyra e udhëtimit njerëzor.
Kur e mbuluan me plastikë të zezë të këputur nga keset dhe thasët e bërllogut, kopeja ka qenë në gjumë. Mandej qyteti mbeti pesë ditë pa bukë e shtatë ditë pa ujë. Për ta kuptuar më mirë rrëfimin, heshtja do t’u ndihmojë të gjithëve.
-Ti kot beson, - më tha Fausti i Gëtes. – Ana tjetër ndryshe flet. Nëse nuk e kupton, deri te unë është një fajtor.
Koha e dytë vjen nesër.
Ndoshta është jetëgjatë.
Nga lufta e kryqëzatave doli Roja Mjegull dhe Roja Njeri. Lufta dhe prapë lufta. Keni kujdes. Bëhuni artist. Duhet ta kuptoni. S’ka popull në botë që nuk e ka një luftë të humbur.
Ajo që dëgjova në disa gjuhë ishte thirrja e gjyshit tim të vrarë. Gjaku më futi në njëmijë vjet udhë.
Kur u ankova, një gaforre e hapi gojën. E kaluara e saj është një pikëpyetje. Larg, në fillimet e kohës çkado që them bëhet vonë.
Për ta shpëtuar Guernikën lypset më shumë se një zemërim. Na kanë thënë se ajo lajmërohet vet.
Për Evropën time jeta është shumë e ngarkuar. Në internet i pëlqen të ikë, i pëlqen të kthehet.
*
Në bregun tjetër deti i afrohet detit. Jasht kontrollit të një ëndrre po vjen një kohë që është duke ikur nga e kalluarja e vet. Për një botë tjetër. Rrugën po na tregon me gisht. Kur mendojmë se ka shkuar, ajo kthehet. Bota e tretë nuk ka zgjidhje tjetër. Ajo na gjen neve, ne e gjejmë atë.
-E kaluara dhe e tashmja po takohen në Kinë. – më tha Fausti i Gëtes.
-Lëre Kinën! – i thashë. – Atje ky vit është viti i majmunit. Prapaskena e luftës qytetare gjendet diku tjetër. Ceremonia e varrimit ishte dje.
Në një faqe të veçantë të internetit flitet për identitetin. Transmetimi i kësaj ngjarje ishte befasi e madhe. Populli u bë shumë kureshtar.
Për dëshmitarin e mbyllur në vetvete, të gjitha lajmet ishin të një fabrikimi. Larg etheve të luftës gurët e mozaikut presin që të radhiten. Ashtu mendova edhe unë. Çdo ditë më pak se pak. Kjo punë është planifikuar si shkollë bizantine. Familjarizëm latin.
Ndoshta nuk e keni kuptuar menjëherë. Ndarja u bë te Evropa e djegur në turrën e druve. Pse gjërat e tjera nuk duken të njëjtat nuk është rezultat i vetëm një fatkeqësie.
Në të çarat e Guernikës është rruga që mori Jezu Krishti me kryq në shpinë.
Përballë kësaj historie është njeriu i parë që shkeli në hënë. Edhe pse mbreti ishte te mbreti, mbi Kështjellën e Kafkës ra mjegulla. Sa për të thënë se diçka po u kujtohet, në sallën e ambasadorëve diplomatët mbajtën një minutë heshtje. Për gjërat që digjen larg, me padurim, pritet fjala e fundit.
Në një shkollë vizatimi, ku nuk ka zot, Artisti më pyeti:
-Ku po shkon?
-Po e kërkoj Guernikën.
-Çfarë Guernike. Cilën Guernikë?
-Xhuxhi i Maxhuxhit më tha, nuk ka Guernikë.
-Prit pak. Më fal!...
Ishte natë…
Nga zemrimi nuk kuptova asgjë.
Mbi qytet prapë ra mjegulla.
Për ta kuptuar po ia lë kohës.
Mozaiku ndoshta do të mbetet krejt bardhë. Çka po ndodhë me të ende nuk di askush.
Dje kishte më shumë gurë të zi. Sot më shumë gurë të bardhë. Nga kjo vetmi, në Galerinë e Arteve, mbeti vetëm autoportreti im.
*
Në katin e dytë ishte Puthja e Rodenit.
Për një fotografi artistike një siluetë ndahet nga grupi. Mendja i shkoi te vizëllima e thikës. Askush nuk mendoi se çka po ndodhë. Duke fshehur thikën vizëllima fluturoi nga një det në tjetrin.
Nga vizëllima e dytë që ishte pak më e gjatë se e para Puthja e Rodenit e preku fundin e detit.
Për t’i ngatërruar hetimet kapet njëfarë vrasësi.
Kur e nxorrën para trupit gjykues, ai ende nuk i kishte mbushur të njëzetat.
Pas një muaji përfunduan hetimet. Vrasësi mund të dënohet me burgim të përjetshëm apo të lirohet me kusht.
Nga kjo vetmi edhe një yll ra në det.
Nuk kishte më se çka të pret. Bota e botës së vogël ishte në anën tjetër. Për asgjë s’kemi pse të shqetësohemi.
Duartrokitjet frenetike prapë janë në modë.
-Çfarë paska qenë Guernika për të cilën flitet kaq shumë? – Fausti i Gëtes më pyeti.
-Guernika është çka nuk harroj. Ashtu si e kam parë më rri në kujtesë dhe nuk ik.
Në sheshin e famës ajo më gjen mua unë e gjej atë.
-Disa zyrtarë që deshën të mbeten anonimë thonë se Guernika duke kaluar shkretëtirën e Arabistanit është islamizuar.
-Sipas kalendarit bizantin kjo mbyllje e përrallës kërkon një siluetë. Për mashtrime politike me siguri është mjaft.
Amerika është larg dymbëdhjetë orë. Ata që ende mendojnë se Guernika ashtu e mbuluar me plastikë të zezë të këputura nga keset dhe thasët e bërllogut pushon dhe e ruan freskinë, herën tjetër do ta shohin malin e Karaburunit ku dikur ka jetuar Zeusi.
Më vonë për hir të një gruaje të bukur të zbrazët, e jo të lumtur, Zeusi kaloi në Olimp.
Rruga tjetër është përvojë diplomatike.
Për lavdinë e saj, mali i vetëtimave prapë diku hedh një dritë.
Në të gjitha shkollat diplomatike ruajta e qetësi vjen e shkon si ngjarje e heshtur.
Ngritja e dorës është një pazar i mirë. Për një fotografi artistike loja luhet me dy letra. Sa për gazetarët po i përmendi edhe letrat diplomatike. Edhe kur i kuptojmë mashtrimet nuk na ndihmojnë. Pas mashtrimit vijnë gjërat që s’kanë të mbaruar.
Unë një ditë as hënës nuk i besova. Lehtë është për ta kuptuar. S’kemi se ku të shkojmë më larg. Për mua ka rëndësi të madhe se çka ka ndodhë me Guernikën pas Guernikës.
-Guernika nuk duhet të jetë e rrethuar me shumë njerëz! – më tha Artisti. – Vetmia e gurëve të mozaikut nuk ka më kurrëfarë kuptimi. Noshta ju nuk po më kuptoni. Çfarë çmimi do të paguaj nuk e di as unë. Më nuk do t’i besoj askujt. Njëherë kam kaluar nëpër flakë.
-Mos u habit! – i thashë Artistit. – Nënës histori i nevojitet një qiell. Tash po e kuptoj pse disa qytetarë më nuk besojnë në zot.
Për të jetuar, unë prapë i drejtohem hënës. Këtij udhëtimi i nevojitet edhe përvoja e Uliksit. Ndoshta nuk e kemi kuptuar menjëherë. Heshtja nuk qenka ajo që unë e kam pritur. Për mua prapë ka rëndësi të shoh se çka i ka ndodhur Guernikës.
Duke menduar dhimbjen ajo nuk i është shmangur rrugës. Nuk është shitur. Ka ditur të jetojë. Prandaj i ka ndodhur ajo që i është dashur t’i ndodhë.
Më vonë duke shikuar një film dokumentar dikush vret dikend që gjatë luftës e kishte respektuar traditën. Nga ajo që dihet dhe nga ajo që po harrohet, shtazët që kanë fjetur gjatë dimrit, shkuan përtej argëtimit. Hollësitë ndoshta kurrë nuk do t’i kuptojmë. Në këtë rol të ri është edhe një zë i largët.
Nga të dhënat që kemi as Roja Mjegull e as Roja Njeri nuk çojnë shumë peshë.
Për një prirje, për një gjykim, populli kurrë s’ka qenë më i vetmuar.
Gazetarët më shumë i besojnë fotografisë artistike se popullit.
Mua më mbeti të pikturoj vetëm Kështjellën e Kafkës.
*
Kadarje kur flet për vendlindjen, në sytë e Helenës vizatohet Kulla e Ajfelit, Parisi. Një ditë e pyeta:
-Guernika mos po përjetohet si profil i humbur.
Helena, jo me fjalë por me shikimin e thellësive të kaltërta, hyri në vitet e mia.
Unë duke kërkuar një ëndërr dhjetë ditë eca nëpër shkretëtirë.
-Paske takuar vetveten. – më tha.
-Jo vetveten, por Doruntinën.
Te mali i Karaburunit e pyeta për Guernikën.
Trembëdhjetë vjet më vonë zbulimi i sekretit më nuk i interesonte askujt.
-Na gënjyen, e ne u besuam. – më tha Artisti.
-Besonim se kishim nevojë të besojmë. Nuk kishim informata. Edhe kur na vinin ishin të dyshimta dhe të shumëllojshme. Thonë se janë të mira për syrin. E ne nuk e dinim pse.
Guernika përfaqëson edhe luftën e fundit.
Afër saj unë e vendosa të bardhën. E zeza tregohet vetë. Nëse hyni në Kështjellën e Kafkës, vizitat historike sillen rrotull. Më vonë dot’i kuptoni pse.
Figurat diplomatike të pesë kontinenteve dhe dy Amerikave dolën në fotografi. Rruga e tretë përfaqëson botën e botës së vogël. Ne ende nuk po e kuptojmë historinë kur paraqitet si përrallë. Më në fund edhe një çudi. Asgjë kaq precize.
Lufta më nuk bëhet për një grua të bukur, të zbrazët e jo të lumtur.
*
Për Guernikën të mbuluar me plastikë të zezë të këputur nga keset dhe thasët e bërllogut në faqet e interentit nuk gjeta asgjë më shumë se një provokim. Ky fotodokumentacion në vetvete ka edhe diçka që duhet t’i takojë dikujt.
Në Kështjellën e Kafkës Irina e Lekë Dushmanit duke parë gabimet e veta i kthehet ngjyrës së kuqe. Kalendari i viteve të fundit e ka edhe fotografinë e dy princave të cilët e panë Irinën, por ajo nuk i pa ata.
Nga zemrimi filloi grindja.
Të vrarë mbetën dyqind e pesë e numri i të plagosurve nuk dihet.
-O Lekë! – i thashë Lekës. Për ta njohur Irinën e Lekë Dushmanit, tri herë duhesh ta kalosh detin. Ajo është erë. Po e thirre në emër, nuk të përgjigjet. Po e harrove ta falë një buzëqeshje. Pak a shumë ajo gjithmonë mbetet në gjendje kërkimi. Unë e kam takuar në pikturat e mia të fazës së kaltër, të viteve kur isha student.
Për dashurinë e saj diçka po jo gjithçka doli në sipërfaqe. Atëherë e respektova numrin tre. Jo tre po pesë. Numri tre e numri pesë edhe sot janë afër. Një ditë mes tyre më zuri një shi i madh.
Me një ëndërr të shtrënguar në gji aty çdo ditë vizatohet bariu i kopesë.
Kjo paraqitje ka edhe një emër tjetër. Edhe pse Leka e dinte se kush është Leka nuk i besoi as vetes.
Çmenduria e tij për Irinën ndoshta ka ekzistuar edhe më parë. Edhe për shumë gjëra të tjera, luani i kishte hyrë në kokë. Për të asgjë nuk ishte e qartë.
Hunda e shpirtit të vogël i siguron një reklamë.
Pse jo.
Ka shumë energji. Është i përkrahur dhe i harruar.
-Ku jam unë? – Një ditë e pyeti autoportretin e vet.
-Ha, ha, ha… - pasqyrja qeshi.
Historisë, pak a shumë ia dredhi.
*
-Ajo që vlerësohet më shumë se Guernika është zëri origjinal i Guernikës. – më tha Fausti i Gëtes.
Në Kështjellën e Kafkës kishte më shumë se kaq.
-Fundit po i vjen fundi!... Njeriu po zhvlerësohet. Tash politika është gjithçka.
-Unë tjetër gjë mendoj. Kur isha student Puthja e Rodenit ishte në mua. Atëherë në Durrës u paraqit një mbret i rrejshëm. Kishte ardhur me një anije të gjatë me vela të bardha. Kërkonte duartrokitjet e popullit. Pastaj erdhën tregtarët nga mbarë bota.
Kështu ndodhi tri herë vetëm gjatë shekullit njëzet, sepse kërkush nuk e pa djallin që kishte hyrë mes nesh.
Për shërimet e këtyre plagëve figurat e diplomatike të pesë kontinenteve dhe dy Amerikave e kanë të njëjtën buzëqeshje.
Programet televizive kërkojnë një fotografi. Fotografi po, po pa kornizë. Me të drejtë qytetare janë katër shtete që pretendojnë për vendin e parë. Anglia, sepse ka lagështi dhe mjegull.
Gjermania të cilës i kujtohet Austria.
Dhe, Franca dhe Rusia, gjithmonë mbreti te mbreti.
Shkakun nuk e tha askush…
Shprehitë janë të rrezikshme. Përcillen nga brezi në brez.
Brenda rrethit të syzave të zeza natyra bizantine shpesh u ik pyetjeve. Në largësinë e largët kërkon diçka të humbur.
Çka ka ndodhur me Guernikën tash nuk e di as Roja Mjegull e as Roja Njeri.
Shërbëtorët gjithmonë mbesin besnik. Nga ata mësova se çka është frika e çka është forca.
*
Në një aktgjykim thonë se kali i Guernikës ka pasur ngjyrë ushtarake. Për një lajm të ri u ngrit një mal i ftohtë me thashethëna. Fundi i lumtur mund të merr edhe goditje të tjera të paparashikuara. Ankesat dorëzohen në katin e tretë. Aty ëndërr për ëndërr vazhdon loja.
Gjatë harrimit antik diku në Kështjellën e Kafkës janë gjetur sa gurë mozaiku.
Roja Mjegull dhe Roja Njeri ende besojnë se nuk ka ndodhur asgjë.
Në katin e dytë është një qorsokak.
Para se të përfundojnë hetimet nuk shihet asgjë.
-Na kanë detyruar të heshtim! – tha një qytetar që kërkon pastërtinë. Nuk kemi dashur të vdesim.
Të burgosurit ishin pak më larg. Emrat e tyre kurrë nuk janë publikuar në asnjë gazetë.
Thashethëmet thonë se Guernika e njohur për vetbesimin e saj ka ardhur në Tiranë.A e ka gjetur momentin?
ǒka po kërkon në Tiranë?!Në Tiranë janë edhe dy Guernika të njohura.Me një rol pak më të vogël do të paraqitet edhe Guernika ime.
-Ti ende pa e parë Tiranën po flet për Tiranën dhe kërkon një përgjigje.
– më tha Artisti. – Përgjigje nuk ka.Vet Tirana është në rrugë për askund.
Te Kali i Guernikës, te Kali i Skënderbeut ndalu.
-Më fal…
Si të ishte dje…
Unë nuk e di se ku është Guernika. Nga gjashtë drejtime të ndryshme pritet ardhja e saj.
Nga thellësia e vetmisë dola edhe unë.
Sa për Guernikën, a ka ardhur në Tiranë, lajme të publikuara nuk ka askund. Flitet se ka shkuar në Amerikë. Për ta vazhduar karrierën atje e ka zbuluar se kujt i buzëqeshë Mona Liza. Mona Liza dhe Merilin Monro. Nga ky krah është edhe Vajza e Faraonit, e cila e ka shpëtuar Mojsiun e Mikelanxhelos dhe e ka rritur si djalë të vetin. Atëherë unë nuk kisha mjaft kohë.
Më vonë, pasi kaloi kjo valë.
Fausti i Gëtes më pyeti:
-Në anën e kujt je?
-Dihet! – i thashë.
-Me të vërtetë, unë i takoj Guernikës dhe duhet t’i kthehem. Po ku është. Dje Guernika.
Sot Guernika.
Mandej s’merret vesh a ditë a natë.
Nga një vend në tjetrin duke pyetur për Guernikën më ra të dëgjoj për Guernikën.
Në një dashuri të zbuluar në vitet e fundit kam gjetur diçka që ka qenë e humbur.
Bota që ka mbetur nga shekulli njëzet kërkon një përgjigje.
-Pse ma ktheve shpinën. – më tha Artisti.
-Ndoshta ti e di ku duhet me u ndalë. Guernika nuk është as libër xhepi as album me fotografi pornografike, as qetësi absolute. Ajo edhe tash, pas tridhjetë e tri vjete mbeti vepër arti.
-S’keni pse të shqetësoheni. Me çdo kusht na duhet kjo minutë.
Larg bindjeve, sistemeve, miqësive të paraluftës, miqësive të pasluftës, tashmë nuk më kujtohet se çka ka mbetur nga e kaluara.
Në Kështjellën e Kafkës sa më i vetmuar që ishim, të kaluarën dhe vetminë e kemi kuptuar më mirë.
Përsëri me çmim jete. Barka. Ëndrra. Deti. Çiftelia…
Për të shpëtuar botën kufijve të botës u mungon fotografia e përbashkët. Vlerësimi është diçka tjetër.
Si mjet qetësues përdoret qumështi i ulkonjës apo helmi i gjarpërit. Për ta kuptuar imagjinatën, shumëkujt i nevojitet ecja historike.
Njëqind herë Formula e Pagëzimit.
Guernika e kohëve heroike dhe e viteve të rinisë sime nuk ka pse të vuaj.
Në Kështjellën e Kafkës nuk numërohen luftërat, nuk numërohen plagët. Të gjitha janë tepër të ngjashme. Ndyshime të rëndësishme ndodhin çdo vjet.
Përballë kësaj dukurie askush nuk mund të rrinte duarkryq.
Mbretit Plak iu mvesh akuza se kishte mbështetur luftën qytetare. Ai më vonë u vra nga shërbëtori i tij.
Në shkollë të lartë diplomatike luftërat përsëriten shpesh. Edhe pse shekulli njëzet ka shumë trashëgimtarë, Guernika ra viktimë e një komploti.
Dobësia politike e Fuqive të Mëdha brendapërbrenda ka një strategji diplomatike.
Për këtë sukses te Muri i zotit, me kokë skifteri në profil në reliev, shtrohet një darkë solemne. Nga një dashuri e zbuluar në vitet e fundit doli Xhuxhi i Maxhuxhit i hipur mbi një gomar, kryen shumë punë diplomatike. Duke ndjekur metodat tradicionale të politikës bizantime shënon fundin dhe, ndoshta, asgjë tjetër.
Me një vonesë fillon të shkruhet historia.
Me shumë shënime të rrejshme fillon edhe Enciklopedia angleze.
Fama e saj është futur në telegramin që vjen në orët e vona e na shqetëson.
Më vonë vijnë hartat historike, gjeografike dhe përfaqsimet etnike.
Për të ditur se kush ku ka jetuar është një hartë tjetër. Ajo i përfshin të gjitha luftërat të cilat në rrugët e trurit e kanë një shikim të dyfisht. Një kronikë tjetër e shkurtër me një histori tjetër që flet për Zonjushat e Avinjonit ende nuk është botuar. Tash ato zonjusha janë plaka apo kanë vdekur. Për avanturat e tyre prapë plasi një luftë.
*Pjesa e parë e veprës me të njëjtin titull e piktorit akademik Rexhep Ferri