E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSIG, ofertat e kompanive blerëse do hapen më 10 shtator

Deri në fund të muajit nëntor qeveria shqiptare ka planifikuar që të mbyllë procesin e privatizimit të shoqërisë së sigurimeve, INSIG. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh të martën, se më 10 shtator do të hapen ofertat e kompanive që kanë shprehur interes për privatizimin e 61 % të aksioneve shtetërore të kompanisë së sigurimeve, INSIG. “Parashikojmë që brenda këtij viti, në muajin nëntor, të mbyllet kontrata e shitjes”, - deklaroi zëvendësministri Shehu. Sipas tij, për rreth një muaj qeveria ka shpallur njoftimin e saj publik te “Financial Times” për të gjitha kompanitë që janë të interesuara të blejnë aksionet e INSIG. Në fillim të këtij viti u miratua projektligji i ndryshuar “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sh. a.”. Sipas këtij vendimi, 61 për qind e aksioneve u ofrohen për shitje investitorëve strategjikë, të cilët përzgjidhen në bazë të procedurave të përcaktuara nga Ministria e Financave me tender të hapur ndërkombëtar, brenda datës 31 dhjetor 2008. Zëvendësministri Shehu u shpreh se kompania KPMG, kompani auditimi, po kryen edhe procesin e vlerësimit të aseteve të kompanisë INSIG. Shehu shtoi se, pasi KPMG të kryejë vlerësimin e kompanisë, do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili, në bazë të çmimit të dalë nga vlerësimi, do të përcaktojë dhe një nivel minimal dhe maksimal, që do të shërbejë si bazë për hapjen e tenderit për privatizimin e kësaj kompanie. Aktualisht, qeveria shqiptare ka rreth 61 % të aksioneve të INSIG, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, kanë përkatësisht nga 19.5 % secila. Kompania shtetërore e sigurimeve është themeluar në vitin 1991 dhe prej shumë vitesh ka qenë lider në këtë treg, ndërsa tani renditet në vendet e fundit dhe vit pas viti ka humbur peshën në treg, duke shkuar deri në më pak se dhjetë për qind. INSIG, pavarësisht peshës jo të madhe në treg, aktualisht është një kompani që ka asete të rëndësishme dhe po ashtu, një sasi mjaft të konsiderueshme letrash me vlerë. Të dhënat bëjnë me dije se vlerësimi i tyre është mjaft i rëndësishëm dhe mund të ndikojë në vlerën, me të cilën do të shitet kjo kompani. Pak vite më parë një vlerësim që iu bë kësaj kompanie doli se ishte më i ulët sesa vlera me të cilën u interesuan blerësit. Ata që donin të blinin INSIG, ofruan më shumë se sa kërkoi shitësi, shteti ynë. Më pas ky proces u ndalua dhe vetëm tani INSIG është futur sërish në privatizim. Qeveria e sotme ka thënë në fakt që prej më shumë dy vitesh se ajo do ta privatizojë këtë kompani dhe procesi ka ecur shumë më ngadalë sesa privatizimi i kompanive të tjera më të mëdha si ARMO apo KESH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›