E Martë, 3 Nëntor 2026

PD e Bashës në Grupin e Dialogut në Parlament? Kreshnik Çollaku: Po, por me një kusht

PD e Lulëzim Bashës ka ndryshuar kursin radikal për të mos marrë pjesë në tryezën e grupit të Dialogut, ku përfaqësuesit e grupeve parlamentare të PS dhe opozitës do të vendosin për reformën zgjedhore. Nënkryetari Kreshnik Çollaku, i cili bën pjesë tek pakica që ishte pro pjesëmarrjes, tregoi në emisionin “Pa Censurë”, debatet që çuan në një vendim të mesëm, që mundëson pjesëmarrjen e grupit të Bashës.

”Ka pasur debate për këtë çështje. Personalisht, kam qenë i idesë së duhet ta zëmë atë vend. Qëndrimi i parë ishte për ta refuzuar në mënyrë totale. Qëndrimi i dytë ishte për të marrë pjesë, me idenë se duhet tejkaluar sedra e prekur, sabotimi i hapur që u bë, fyerjet, ofendimet, por, për hir të një gjëje më të madhe, të marrim pjesë për të parë deri ku shkohet dhe çfarë ndodh. Qëndrimi i përzgjedhur tani është që nuk do të jetë një JO në mënyrë radikale, por shkojmë, në rast se do të hapen çështjet dhe temat për të cilat jemi të interesuar.”

Vendimi me kusht, i marrë nga PD e Bashës duket pak i vështirë për të realizuar pjesëmarrjen e tyre në Grupin e Dialogut, pasi do të duhej që njëra nga palët e përfshira të vendosë në tryezën e punës propozimet e PD-së së Bashës për reformën zgjedhore. “Si minimum vullneti nga ana e tyre, kjo mund të zgjidhet, të pranojnë të diskutojnë propozimet tona me 4 pika, megjithatë, i qëndroj idesë se duhet të marrim pjesë  në vendin që na takon”. Zoti Çollaku tha se nuk ishte në dijeni, nëse kanë nisur bisedime për ta plotësuar këtë kusht të grupit të Bashës, por ai tha se ka nevojë të ketë gjithnjë bisedime dhe komunikim dhe që palët të japin një shenjë të parë serioziteti. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›