PD e përçarë në zgjedhjet vendore 2023, Shehu: S’jemi dele, duhet të bashkohemi! Çupi: Të dalim me një kandidat

Mosarritja e një marrëveshje mes grupit të Berishës dhe atij të Alibeajt për të dalë me një kandidat në zgjedhjet vendore të 2023, duket se do e çojë PD të përçarë në procesin zgjedhor.
Kjo përçarje nuk po pranohet as nga partitë e vogla që mbështesin PD por as edhe vetë demokratët, të cilët kanë kërkuar daljen me një kandidat të përbashkët dhe se palët të gjejnë mënyrë për t’u bashkuar.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehu tha se ai nuk do të shkojë me asnjë palë, por se palët duhet të gjejnë mënyrën që të bashkohen.
“Ne duam një, mënyrën për ta zgjedhur ta gjejnë. Ne nuk bashkohemi me asnjë pse ça jemi ne dele, me asnjë nuk bashkohemi do rrimë me veten tonë”, tha Shehu.
Edhe deputetja demokrate, Dhurata Çupi e cila është pjesë e grupit të Alibeajt, tha se të gjithë duhet të dalin me një kandidat të përbashkët për të shpëtuar vendin.
“Të gjithë bashkë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Të gjithë bashkë me një kandidat. Në vitin 2013 e mbani mend shprehjen të bëhen bashkë të gjithë qelbësirat, ndërsa unë sot bëj thirrje të bëhen bashkë të gjithë zonjat dhe zotërinjtë e këtij vendi për të shpëtuar vendin nga regjimi i Edi Ramës”, tha Çupi
Grupi i Enkelejd Alibeaj dhe ai i Sali Berishës ishin futur në diskutime, por nuk u arrit të gjendej një konsensus për të dalë në zgjedhje me një kandidat të përbashkët. Gurpi Parlamentar i PD-së, përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, akuzon se pala tjetër u ulën në tryezë me kushtin për njohjen e Sali Berishës.
/rtsh.al/