E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, e shqetësuar nga kthimi i Pollos

Antena brenda familjes

Një shqetësim i madh ka kapur dje përfundimisht mikun e Antenës, Flamurin. Pas shumë mëdyshjesh ai verifikoi dje atë që kishte frikë prej kohësh, kthimin e Genc Pollos në PD. Karriera e tij brenda PD nisi pikërisht me ikjen e Pollos. Në Kuvendin që bojkotoi Pollo në vitin 1999, Flamuri ishte caktuar të ngrihej nga salla e të kundërshtonte hapur doktorin, që iu kërkonte delegatëve të mblidhnin firma që Pollo të propozohej anëtar i Këshillit Kombëtar. Kjo ishte dhe pjesa më e shkëlqyer e karrierës së tij, pasi për herë të parë i ishte dhënë leje të bëhej i njohur si kritik i doktorit publikisht, madje dhe si sfidues i tij. I ri, i panjohur, pa ndonjë mbështetje konkrete në Tiranë, ky ishte një rast i artë për Flamurin. Sapo doktori bëri propozimin dhe Jemin Gjana u caktua të mblidhte firmat, Flamuri u ngrit nga fundi i sallës dhe tha se nuk është dakord me doktorin për këtë që po bën. Së pari, ai denoncoi Afrim Krasniqin si armik të fshehtë të PD që shkruante kundër doktorit me pseudonime tek “Albania” dhe, së dyti, nuk ishte dakord që njerëzve që duan të shkatërrojnë PD, si Pollo, t’u jepet përsëri dora dhe të kandidohen. Fjalimi i Flamurit ngjalli kureshtje të madhe, se drejtohej kundër Berishës dhe ishte shumë sfidues për të. Por çudia ndodhi. Doktori i pranoi kritikat e Flamurit dhe prej atëherë Flamuri nisi karrierën brenda PD, fillimisht si transportues i skenave të mitingjeve dhe më pas si përgjegjës i grupit që merrej me këtë punë. Pas vitit 2005, ai mori detyrën më të rëndësishme të jetës së tij politike, të kyçte PD dhe të mbante çelësat në qafë dhe të mos linte njeri të hynte aty pa ardhur doktori. Për shkak se ky i fundit nuk ka shkuar asnjëherë gjatë këtyre tri viteve në PD, dhe Flamuri e ka bërë mirë detyrën e tij, dhe s’ka lënë njeri brenda.

Por dje ndodhi tërmeti. Tritan Shehu konfirmoi se “fraksioni i vulës”, siç quhej nga Flamuri partia e tyre, do shkrihet me PD. Flamuri u përpoq të lidhej me doktorin, por ai ishte me pushime në Dhërmi dhe nuk e hapte celularin. U përpoq të merrte vesh ndonjë gjë prej Ridvanit, por as ai nuk i dha ndonjë shenjë. Pyeti Jozefinën, po ajo dukej e qetë.

- Tritani a njeri i mirë, - i tha Flamurit. - Krejt priftat në Itali i njehte, si me qenë katolik, jo si me e pas gjyshin Sheh.

- Ore lere Tritanin, po atë Kuqon kush e duron, se unë për atë jam zënë me doktorin. Unë nuk e toleroj atë.

- S’ke çka me i ba. Le të vij dhe ai të haj një cop bukë.

- Jo, se nuk është aq e thjeshtë. Ata po na marrin partinë. Nejse, unë nuk ia jap çelësat njeriu njëherë. Pa ardh ai burri nga Dhërmiu, unë nuk bëj asnjë veprim. Nuk është han pa porta PD.

I dëshpëruar që s’po gjente zgjidhje, filloi të mendojë ditën e parë me Pollon në PD. Nëse bëhet nënkryetar, bëhet në vend të Patozit. D.m.th., bëhet dhe kryetar grupi parlamentar. Kjo ma lehtëson punën, se me nënkryetarin nuk kam shumë punë. Por, po u bë Sekretar i Përgjithshëm më prish punë, se ka në dorë rrogat e PD. Dhe unë marr rrogë zv/ministri. Pastaj, dhe i emëruar nuk jam, se më ka lënë doktori të komanduar. Kushedi si bëhet deri atëherë dhe puna e qeverisë dhe më flakin fare. Shpresa e vetme për Flamurin mbetet që Pollo të bëhet thjesht anëtar kryesie. Ashtu nuk përbën asnjë rrezik dhe nuk ndjen asnjë siklet. Kryesia ka tri vjet që nuk mblidhet dhe kështu nuk ka ku takohen. - Kështu duhet bërë, - tha, - deri në anëtar kryesie duhet lejuar. Më lart të prish punë ai, se na mërziten militantët.

Ndërsa po bluante në mendje ardhjen e Pollos në PD, i bie telefoni. Ishte Lulëzim Basha.

- Flamur, janë bosh akoma ato zyrat e KOP-it në PD? - e pyeti.

- Bosh ke gjithë PD, - i tha Flamuri, - kanë zënë merimanga korridoret.

- Ma bëj gati, se do filloj të vij në fundjavë në PD, se duhet të organizohemi pak tani, se po bëhet loja e fortë.

- Jo vallahi, pa fol me atë burrin nuk hyn njeri brenda. Dhe atëherë iu qasa, se ishte doktori në PD, se as zyrë nuk u kisha dhënë. Tani s’ka më. Pa ardh ai burri aty, s’ka njeri brenda.

- Po kur vjen ai zakonisht? - pyeti Basha.

- Ai vjen, kur të humbë PD pushtetin. Sa të jetë në pushtet, s’ka pse vjen.

- Ou, kur të humbë PD pushtetin, ikim ne, - tha Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›