E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompania që prodhon helikopterë, interes në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti dje në një takim presidentin, njëkohësisht drejtor Ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të avionëve "Turbo-Jet ETIRC aviation Sarl", Roel Pieper. 

Këta janë avionë gjashtë vendesh, të ashtuquajtur avionë taksi, të përhapur për transportin e udhëtarëve dhe mjaft të përdorshëm veçanërisht  për turizëm. Në emër të kompanisë së tij, Pieper i shprehu kryeministrit vlerësimin për politikat dhe situatën ekonomike të favorshme të Shqipërisë. "Është pikërisht kjo klimë e përshtatshme biznesi dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë, që bëri që kompania "ETIRC aviation Sarl" të konsiderojë Shqipërinë si vend të përshtatshëm për hapjen e një filiali të kësaj kompanie për prodhimin e helikopterëve", theksoi Pieper. Ai nënvizoi gjithashtu se, qëllimi i vizitës së tyre ishte dhe identifikimi i një terreni të përshtatshëm dhe paraqitja e një projekti konkret për aktivitetin e tyre në Shqipëri. Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e kompanisë dhe u shprehu atyre mbështetjen e qeverisë dhe strukturave të saj për të ndihmuar dhe lehtësuar realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria premton shumë, jo vetëm nga pikëpamja e zhvillimit të biznesit, por edhe nga burimet njerëzore. Në këtë drejtim, presidenti i kompanisë "ETIRC aviation Sarl", Pieper, tha se "në paketën e planit të investimit të kompanisë është edhe trajnimi i stafit shqiptar për të përballuar me sukses aktivitetin e kompanisë në vend".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›