E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Mocioni ndaj Topallit do rrëzohet

Partia Demokrate e Re deklaron se, mocioni i opozitës ndaj kryeparlamentares Topalli mund të pësojë të njëjtin fat siç kishin dy mocionet e para, dështimin. 

Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, në deklarimin e tij i cilësoi pozitivisht punimet e sapo mbyllura të sesionit parlamentar, përkundër qëndrimeve të mbajtura nga ana e opozitës. "Kërkesa e opozitës për mocion ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, do të rrëzohet sikurse u rrëzuan dy mocionet e mëparshme ndaj saj. Deputetët e opozitës po tentojnë të hedhin baltë mbi punën e Parlamentit. Më duket se kështu po kalohet në një ekstrem, bazuar mbi një pozicion politik dhe aspak realist", tha Shehu. Nënkryetari i PDR-së, shprehu "konsideratë për punën e deputetëve në miratimin me konsensus të ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme, duke dëshmuar emancipim, vizion evropian dhe kontribut për reforma të rëndësishme në ecurinë e vendit". "Mendoj se roli i kryetares Topalli ka qenë mjaft pozitiv në tërësi. Jam i bindur se dhe kërkesa për mocion ndaj saj do të përfundojë si dy mocionet e para, që u rrëzuan në Kuvend", deklaroi Shehu. Një temë tjetër e prekur nga ana e tij ka qenë shkrirja e mundshme e PDR-së me PD-në. Në lidhje me këtë çështje Shehu u shpreh se, "PDR-ja është e hapur për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me aleatin e saj, Partinë Demokratike (PD), që mund të çojë dhe në një bashkim të dy partive të djathta". Sipas tij, "në këto periudha të qeverisjes së përbashkët dhe të një koalicioni me PD-në, gjithmonë e më tepër ka një afrim dhe sinkronizim të programeve, formave të organizimit dhe bashkërendimit të luftës politike". "Me PD-në dhe drejtuesit e lartë të saj ka një zhvillim ngjarjesh drejt një bashkëpunimi të mëtejshëm të lidhjeve tona, tregues i së cilës është dhe emërimi i kryetarit të PDR-së, Genc Pollo, në postin e zv/kryeministrit, që për ne është një veprim politikisht i rëndësishëm", deklaroi Shehu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›