E Diel, 1 Nëntor 2026

Importi i materialeve të ndërtimit arrin në 260 milionë dollarë, çmimet rriten me 7- 8%

Materialet e ndërtimit dhe metalet arritën të eksportojnë gjatë muajit qershor 13,3% më shumë sesa në muajin e kaluar, por, ndërkohë, edhe volumi i importeve të këtyre materialeve është i madh. Shqipëria importon materiale ndërtimi të të gjitha llojeve me përjashtim të betonit dhe ndërkohë eksporton çimento dhe metale (hekur kryesisht). Importi i tullave është sa 60 për qind e sasisë së totalit të këtij materiali që përdoret në vend, megjithëse një numër jo i vogël fabrikash të tullave e ofrojnë këtë mall për tregun vendas. Pllakat e të gjitha llojeve importohen nga shumë vende të rajonit, por edhe të tjera jashtë rajonit. Fakti që sasi të konsiderueshme eksportohen në tregun e huaj nuk ka ndalur importin e saj. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se një numër i madh materialesh ndërtimi importohen edhe për faktin që një pjesë e materialeve të ndërtimit që prodhohen në vend në shumë raste nuk kanë cilësi të mirë. Në vlerë monetare sipas të dhënave zyrtare vendi ynë ka importuar rreth 260 milionë dollarë materiale ndërtimi gjatë vitit të kaluar. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti importi i materialeve të ndërtimit ka qenë më shumë se 155 milionë dollarë. Rritja e importeve është pasojë e aktivitetit të ndërtimit në vend, i cili është një prej sektorëve me kontribut të rëndësishëm në ekonominë kombëtare. Në të vërtetë, ritmi i rritjes së ndërtimit ka rënë krahasuar me vitet e shkuara, megjithatë ai ende vijon të japë një kontribut prej 10-11% në ekonomi. Çmimet e importit të materialeve të ndërtimit kanë pësuar një rritje me rreth 7-8 për qind, thonë të dhënat dhe kjo kryesisht është pasojë e çmimeve të karburanteve që kanë rritur kostot e transportit, por edhe të produkteve. Industria e materialeve të ndërtimit në vend kryesisht ka të bëjë me prodhimin e çimentos dhe të betonit. Edhe hekuri është një prej këtyre produkteve. Pavarësisht prodhimit në vend të këtyre materiale nga importi vjen edhe çimento, edhe hekur. Një prej problemeve më të rëndësishme, veç faktit importet janë shumë të mëdha në sasi, në lidhje me materialet e ndërtimit janë cilësia e këtyre të fundit. Një institut i materialeve të ndërtimit, i cili duhet t’i kontrollojë ato dhe të japë pëlqimin, thuajse nuk e bën këtë gjë dhe në rastet kur e bën, ajo çka ai thotë nuk ka rëndësi për përdoruesit e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›