PD, forcë e zhvillimit do votohet masivisht nga shqiptarët

Imami dhe Selami mbyllin fushatën elektorale Librazhd: “Do dyfishojmë votat për PD”
Kryesuesi i listës së kandidatëve të PD në qarkun e Elbasanit, Arben Imami së bashku me kandidatin për deputet në Librazhd, Eduart Selami pasditen e djeshme, mbyllën dhe fushatën elektorale. Në një takim me banorë të fshatit Dorëz, z. Selami bëri thirrje që qytetarët e Librazhdit të dyfishojnë votën për Partinë Demokratike. “Në zgjedhjet e 23 qershorit ta dyfishoni votën, sepse unë kam besim tek ju, falenderoj ato socialist që ndodhen këtu, sepse do të jetë më mirë të votojnë për PD, sepse ky është program i tyre, sepse vota e tyre do të jetë një votë që do të shkojë drejtpërdrejtë në llogarinë bankare të Shqipërisë së zhvilluar, dhe unë ju garantoj për këtë”. Duke u ndalur tek zhvillimet e Shqipërisë vitet e fundit Selami shtoi se “ ky është me të vërtetë një zhvillim, mos i besoni ata që ky është një rrënim, nuk është e vërtetë, me votën e 23 qershorit ne do të bëjmë të mundur që ky zhvillim të përshpejtohet, ky zhvillim do të ketë firmën tonë, votën tonë, dhe jemi të sigurt që me votën tuaj ne do të kemi një fitore të madhe në 23 qershor”. Selami foli më konkretisht se çfarë do të bëjë gjatë katër vjeçarit të ardhshëm duke premtuar se “do të rikonstruktojmë ambientet e shkollës së mesme në fshatin Dorëz, ju premtoj se Lagja “Brazhdaj”, “Katund” dhe Gizavesht” do të lidhen me rrugën kryesore me asfalt”- tha Selami. Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka evidentuar tek banorët e kësaj zone fushatën elektorale të realizuar në këtë qark duke e cilësuar si një nga fushatat më të mira. Ai ndër të tjera e vuri theksin tek investimet e realizuara në qarkun e Elbasanit që sipas tij kanë qenë më të larta në vend gjatë këtyre viteve të fundit. “Ku shkon zhvillimi, PD votohet fort e më fort, ku ka terr, ku njerëzit janë të palumtur, ku njerëzit nuk i kanë prekur dhe shijuar drejtpërdrejt frytet e demokracisë ata mbeten në zgjedhën e regjimit të vjetër. Unë do t’ju ndihmoj të hapim rrugët e fshatrave edhe për bagëtitë edhe për lagjet tuaja, që të nisë të lëvizë ekonomia. Për fat u asfaltua edhe rruga që shkon në Steblevë, dhe mbetet shumë pak për të shkuar në Orenjë edhe me rrugë të asfaltuar. Që në momentin që afrohet rruga njeriut i hapet syri, kryetari i komunës 20 vjet i PS nuk kishte bërë asgjë, nuk kemi gjetur një kilometër rrugë rurale në të gjithë qarkun e Elbasanit. Peqini ka qenë 25% në 2005 sot është 65% me PD sepse janë bërë rrugë, shkon në Belsh është akoma më bukur, është si Toskanë me liqene. Jemi ngjitur maleve, akoma nuk i kemi përfunduar të gjitha rrugët por këtë katër vjeçar do ti përfundojmë të gjitha në komuna e deri brenda në fshatra, sepse na ka ngelur në qarkun e Elbasanit 15 përqind e rrugëve pa përfunduar”.
Të rinjtë e Librazhdit festojnë me Arben Imamin dhe Eduart Selamin/Të rinjtë e Librazhdit përmbyllën fushatën elektorale mbrëmjen e djeshme në sheshin e këtij qyteti. Rinia ishte më entuziaste se kurrë për fitoren ku festuan dhe nën ritmet e këngëtarëve të njohur të muzikës shqiptare si dhe DJ Sardi. Gjatë mbrëmjes, dy kandidatët për deputetë Arben Imami dhe Eduart Selami si dikur, iu bashkuan rinisë në këtë festë madhështore. Në përshëndetjen e tij, Imami u shpreh se, “mbështetja që i ka dhënë rinia e qytetit të Librazhdit, Partisë Demokratike dhe kandidatit për deputet të kësaj zone, Eduart Selamit ka qenë e jashtëzakonshme dhe pikërisht ju keni qenë nimfa e kësaj fushate, ju jeni kurora e fitores, për ju do të ndërtojmë së bashku një Shqipëri akoma më të mirë, një Shqipëri me më shumë punësim, me më shumë dije, me më shume shërbim ndaj njerëzve, për një Shqipëri të integruar në Europë me qëllim që ju të ndjeheni me të vërtetë europiane”, tha z.Imami.