Integrimi në BE, qeveria dorëzon pyetësorin në prill

Kryeministri Berisha paralajmëroi se do të ketë gabime në përkthimin e përgjigjeve të pyetësorit
TIRANË - Shqipëria përmbylli dje përgjigjet mbi Pyetësorin e Komisionit Europian për t'ia dërguar këtij të fundit draftin përfundimtar në javët e para të muajit prill. Komiteti Ndërministror i Integrimit Europian miratoi edhe 5 kapitujt e fundit nga 35 që përmban Pyetësori, duke u dhënë përgjigje 2284 pyetjeve.
Megjithëse kriza politike vazhdon të mbetet e pazgjidhur, qeveria shqiptare e ka cilësuar si të plotësuar kriterin politik. Kapitujt e miratuar së fundmi, përveç kriterit politik, përmbajnë edhe kriterin ekonomik, politikat rajonale, pushtetin gjyqësor së bashku me të drejtat themelore, si dhe kapitullin për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend.
Në këtë proces që zgjati për rreth 90 ditë mori pjesë gati e gjithë administrata shqiptare, ku u angazhuan 1200 punonjës dhe 27 ekspertë të vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare. Të gjithë këta punonjës të institucioneve të pushtetit ekzekutiv, gjyqësor dhe atij legjislativ u janë përgjigjur rreth 2284 pyetje dhe 2000 nënpyetjeve, të cilat kanë qenë të shpërndara në 35 kapitujt e Pyetësorit.
Gjatë miratimit të pesë kapitujve të mbetur, Kryeministri Sali Berisha theksoi se në javët e para të muajit prill, qeveria shqiptare do t'i dorëzojë Komisionit Europian të gjithë materialin e përfunduar, ndërsa vuri në dukje se do të ketë pyetje shtesë nga KE-ja për të qartësuar përgjigjet që ka dhënë administrata shqiptare dhe që sipas Kryeministrit, kjo është një praktikë normale që ndiqet nga institucioni i Bashkimit Europian. "Javët e para të prillit, qeveria do ta dorëzojë materialin e përfunduar në Komisionin Europian.
Unë jam i bindur se me gjithë përpjekjet tona të jashtëzakonshme për të bërë më të mirën, sërish në procesin e dialogut në KE do të ketë jo pyetje shtesë, por pyetje për të qartësuar përgjigjet që kemi dhënë dhe kjo është një praktikë normale.
Do të ketë nevojë për sqarime të shumta, do ketë nevojë për riformulime, pasi, duke qenë një gjuhë jetime, e bukur e mrekullueshme, shqipja nuk është se mund të prodhojë një anglishte identike me të Brukselit, pra, duhet të jemi të përgatitur edhe për gabime në përshkrime apo paqartësi në përshkrime, të cilat ndonëse janë angazhuar përkthyesit më të mirë, prapë, siç ndodh rëndom, edhe shenjat e pikësimit mund të ndryshojnë mendimin", - tha dje Berisha.
Për këtë arsye, sipas Kryeministrit, përpara se materiali të dërgohet për në Bruksel, duhet që t'i bëhet edhe një lexim i mirë për të pasur siguri në kuptimin e frazës apo termave që administrata i ka dhënë Pyetësorit në përgjigjet e saj në përputhje me gjuhën angleze.
KNI miratoi përgjigjet e 5 kapitujve të fundit të pyetësorit:
a. Kapitulli - Kriteri politik, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë;
b. Kapitulli - Kriteri Ekonomik, koordinuar nga Ministria e Financës;
c. Kapitulli 22 - Politikat rajonale, koordinuar nga Ministria e Integrimit;
d. Kapitulli 23 - Gjyqësori dhe të drejtat themelore, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë;
e. Kapitulli 24 - Drejtësia, liria dhe siguria, koordinuar nga Ministria e Brendshme.