PD i rrëmben opozitës përfaqësimin në Asamblenë e KiE

Topalli emëron Idrizin e Islamin. Bushati: Kjo është qesharake Delegacioni niset në Strasburg
Partia Demokratike i “rrëmben” Partisë Socialiste përfaqësimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në listën zyrtare të anëtarëve të vendeve që janë pjesë e asamblesë parlamentare të KiE-s aty ku flitet për Shqipërinë, janë renditur edhe emrat e deputetëve të PS. Por në këtë rast, Kuvendi ka zgjedhur deputetin Shpëtim Idrizi, i larguar nga PS dhe Kastriot Islami si zëvendësues. Shqipëria ka të drejtë të ketë në këtë këshill përfaqësues edhe nga mazhoranca edhe nga opozita në bazë të numrit të votave të marra në zgjedhje. Në rastin konkret, mazhoranca ka përcaktuar deputeten Lajla Përnsaka dhe Ilir Rusmajli si përfaqësues të saj dhe Shpëtim Idrizin si përfaqësues të opozitës. Si zëvendësues të tyre janë përcaktuar Mesila Doda, PD, Kastriot Islami, PS dhe Arenca Trashani, PD. Duket se në dy emrat e propozuar PS e humb përfaqësimin e saj, kjo sepse Shpëtim Idrizi ka deklaruar largimin nga grupi parlamentar socialist që në muajin tetor të vitit të shkuar, për të krijuar Partinë për Drejtësi dhe Unitet. Ndërsa Islami ka qenë edhe më parë përfaqësues në Asamblesë Parlamentare të KiE, por nisur nga qëndrimi i fundit i kësaj asamblesë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe qëndrimet e vetë Islamit në muajt e fundit për bojkotin e Parlamentit, gjërat mund të komplikohen për këtë parti. Një vit më parë, politika u përfshi nga debate të ashpra në qendër të së cilës qëndronte ish-deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj. Ky i fundit u zëvendësua nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe përfaqësimi në Asamblenë e Parlamentare të KiE solli probleme.
Delegacioni i këtij viti mësohet se është nisur pasditen e djeshme drejt Strasburgut, për të marrë pjesë edhe në mbledhjen e parë të Asamblesë Parlamentare të KiE-s për këtë vit.
Kuvendi
Sakaq, i pyetur nga gazeta “Shqip”, Kuvendi sqaroi dje në mbrëmje këtë situatë. Ky institucion sqaroi se në javët e para të fillimit të sesionit të kaluar parlamentar emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi dhe Unitet kanë marrë miratimin e komisioneve përkatëse dhe deputetëve në seancë plenare. Po kështu, Kuvendi sqaron se në mungesë të përfaqësuesve të Partisë Socialiste, në delegacionin e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës bën pjesë një përfaqësues i PDU-së.
PS
I kontaktuar me telefon, deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, reagoi mbi veprimin e Kuvendit, ku përfshihet edhe opozita. Bushati tha se një nga rregullat bazë të Asamblesë Parlamentare është proporcionaliteti. Ai kundërshtoi emërimin e Idrizit si përfaqësues të opozitës, pavarësisht gjykimit të institucionit ligjvënës se përzgjedhja është bërë për shkak të mungesës së grupit parlamentar. “Vendet që ka Shqipëria duhet të jenë në përputhje me përfaqësimin politik që kanë palët në Parlament. Në Parlamentin e kaluar kur opozita ka pas më pak vende në Parlament kanë qenë dy me dy, ndërsa tani nuk mund të emërosh opozitën. Me Idrizin ata kanë emëruar opozitën. Në kushtet kur Parlamenti është i bllokuar nuk ka kredenciale mazhoranca të emëroj në emër të opozitës. Mazhoranca ka të drejtë të çoj dy njerëzit e saj, por jo dy njerëzit tanë, i njerëzve tanë duhet të vazhdojnë vendet të jenë bosh. Mazhoranca po tenton të fabrikoj një opozitë”, tha Bushati ndërsa shtoi se Shqipëria po shënon precedent negativ në Këshillin e Europës. Megjithëse Bushati është shprehur edhe kundër emërimit të Kastriot Islamit.
“Janë shkelur rregullat e përfaqësuesve. Emërimi i Kastriot Islamit si zëvendësues është në kufijtë e qesharakes. Sot janë nisur të gjithë me përfaqësues me zëvendësues”, tha ai.
#