E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet respiratore, shtohet numri i të prekurve

ISHP: Tani jemi në fazën e aktivitetit normal për këtë stinë të ftohtë

Infeksionet respiratore në popullsinë e vendit tonë paraqiten në një numër më të lartë se një vit më parë. Gjatë muajit tetor të 2009-s pati një rritje të menjëhershme të numrit të pacientëve me infeksione respiratore, e cila lidhej dhe me faktin e qarkullimit të virusit pandemik në vendin tonë, AH1N1. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore akute vërehet në moshat fëminore.
Burime zyrtare pranë ISHP-së thonë se aktualisht jemi në fazën e aktivitetit sezonal normal për stinën. Për sa i përket situatës së gripit AH1N1, në vendin tonë deri tani në laboratorin e virologjisë pranë ISHP-së, janë analizuar rreth 3 mijë mostra të grupmoshave nga 15-24 vjeç, nga Tirana dhe rrethet. Aktualisht, në vendin tonë numri i rasteve të konfirmuara shkon në 446 persona të prekur nga virusi AH1N1, apo gripi i derrit. Shumica e rasteve të konfirmuara janë të moshës 25 vjeç dhe pjesa më e madhe e tyre janë nga Tirana.
Të dhënat e ISHP-së thonë se shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare. Survejanca në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin mbi shtrimet në të gjitha spitalet e vendit, si dhe është përforcuar survejanca për zbulimin dhe monitorimin e rasteve të sëmundjeve të rënda respiratore. Ndërkohë, në vendin tonë numërohen 12 persona që kanë humbur jetën nga virusi AH1N1. Viktima e fundit ka qenë një 64-vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej një muaji në sanatorium. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, viktima ishte një duhanpirës që prej 30 vjetësh, ndërsa vuante nga hipertensioni.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›