Abuzimi me tokat, pesë zyrtarë para ligjit
Berat, hetohet kreu i Këshillit të Qarkut, ish-kryeregjistruesi dhe tre kryetarë komunash
Pesë zyrtarë lokalë të Beratit janë vënë nën hetim për abuzime me ndarjen e tokave. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Beratit bëjnë me dije se kanë në administrim dosjen dhe se kanë filluar hetimet në gjendje të lirë ndaj pesë zyrtarëve lokalë, që janë: kryetari aktual i Këshillit të Qarkut të Beratit, Pelivan Shatri, i datëlindjes 1952, lindur në Skrapar dhe banues në Berat, ish-kryeregjistruesi i rrethit të Beratit, Fatmir Plaku, i vitlindjes 1952, lindur dhe banues në Tapi të Kuçovës, kryetari aktual i Komunës Kutalli, Shpëtim Vrapi, i vitlindjes 1962, lindur dhe banues në Drenovicë, ish-kryetari i kësaj komune, Pajtim Cjapi, i vitlindjes 1956 dhe ish-kryetari i Komisionit të Tokës së fshatit Rërëz, Muharrem çala, i datëlindjes 1937, lindur dhe banues në Rërëz. Sipas prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248/1 i Kodit Penal, duke iu dhënë tokë bujqësore në pronësi dy shtetasve, në kundërshtim të hapur me ligjet e shtetit shqiptar.
Denoncimi
Burimet e Prokurorisë së Beratit sqarojnë se dosja penale në ngarkim të pesë zyrtarëve lokalë ka nisur rreth gjashtë muaj më parë, pas denoncimit të banorëve të fshatit Rërëz, të cilët pretendojnë të jenë pronarë të kësaj toke të dhënë padrejtësisht dy shtetasve të tjerë. Bëhet fjalë për tokën bujqësore në vendin e quajtur Pleshivë, në kufirin mes rretheve Fier e Berat, e cila deri në vitin 1991 ka qenë tokë e Ndërmarrjes Bujqësore Ushtarake (NBU) dhe që aktualisht duhej të ishte pronë shtetërore. Por, në dokumentet zyrtare të zyrës vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, figuron në pronësi të shtetasve Sazan Velmishi dhe Hakile Doko, banorë të qytetit të Beratit, të përfituar prej tyre me ligjin Nr. 7501, ndërkohë që nuk kanë qenë anëtarë të kooperativës së Kutallisë deri më 1 gusht të vitit ’91. Burimet e prokurorisë sqaruan më tej se hetimet janë kryer nga ekspertë të sektorit të luftës kundër krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë e Policisë së Beratit, për rreth gjashtë muaj me radhë. Ndërsa dosja penale në ngarkim të pesë zyrtarëve lokalë është dorëzuar në prokurori në datën 8 janar të këtij viti.
Akuza dhe provat
Ende nuk dihen shumë hollësi rreth hetimeve të sektorit të antikrimit ekonomik, por gjithsesi burimet e prokurorisë shpjegojnë se është një dosje voluminoze, e cila vë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” pesë zyrtarët e ish-zyrtarët lokalë, nga qendra në bazë, duke pretenduar se kanë siguruar edhe provat e mjaftueshme. Sipas dosjes në fjalë, janë administruar prova të mjaftueshme, që vërtetojnë se gjatë vitit 2005, pesë të akuzuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhënë në pronësi të shtetasve Sazan Velmishi dhe Hakile Doko 38600 metra katrorë tokë bujqësore, të cilat edhe i kanë regjistruar në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive së paluajtshme, në kundërshtim të hapur me ligjet në fuqi.
Hetimet
Burimet e Prokurorisë së Beratit nuk japin shumë hollësi në lidhje me hetimet, por konfirmojnë se këto hetime kanë nisur pak ditë më parë dhe se shumë shpejt kjo dosje voluminoze do t’i dorëzohet gjykatës. Burimet në fjalë konfirmojnë gjithashtu se paraprakisht, pesë zyrtarët dhe ish-zyrtarët lokalë do të hetohen në gjendje të lirë dhe se nga hetimet paraprake provat e siguruara nga hetimet e antikrimit ekonomik janë të plota. Por, hetimet e organit të akuzës nuk do të mbeten deri këtu, pasi ato mund të shtrihen edhe në periudhat para e pas vitit 2005, për të gjetur prova të tjera për akuzën e klasifikuar.
#