“PD-ja do të integrojë Shqipërinë në BE, shqiptarët do ndëshkojnë politikën e bllokimit”

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu deklaron se Shqipëria do shkojë drejt integrimit në familjen e madhe europiane, nën qeverisjen e Partisë Demokratike.
Përmes një mesazhi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, Bregu shprehet se qeveria është e vendosur ta bashkojë Shqipërinë me BE-në.
“Në punën time të përditshme si Ministre e Integrimit kam me vete vullnetin e 94 për qind të shqiptarëve, të cilët aspirojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një aspiratë kjo që motivoi po këta shqiptarë 20 vjet më parë që të rrëzojnë regjimin komunist për të ardhmen europiane. Kushtëzimi i BE-së është tashmë më kërkues se kurrë; por ne e mirëpresim këtë, si një shtysë për përshpejtimin e reformave”, shkruan Bregu.
Sipas saj, “Shqipëria është sot vend anëtar i NATO-s; qytetarët shqiptarë kanë të drejtën të udhëtojnë lirisht në hapësirën ‘Schengen’; zbaton më së miri MSA-në dhe është një faktor kyç stabiliteti në rajon. 3 vjet më parë qeveria shqiptare aplikoi për anëtarësim në BE. Me gjithë përpjekjet për përmbushjen e detyrimeve të MSA-së, siç e dini, Shqipëria për 3 vite rresht nuk merr statusin kandidat; kjo për shkak të ngërçit politik dhe bojkotit të përsëritur të opozitës”, thekson ministrja Bregu.
Ajo thekson gjithashtu se Komisioni Europian propozoi në 10 Tetor 2012 dhënien e Statusit Kandidat për Shqipërinë- bazuar në progresin e arritur në zbatim të 12 rekomandimeve, me një kusht: të plotësimit të atyre 3 detyrimeve, të mbetura nga lista e gjatë e detyrimeve që BE vendosi para Shqipërisë: ligjin për Gjykatën e Lartë, atë për Nëpunësin Civil dhe Reformën parlamentare.
“Këshilli i Ministrave Europian deklaroi në Dhjetor se presim që Komisioni të na raportojë për plotësimin e tre kushteve, për të votuar mbi statusin. Opozita nuk voton ligjet, nuk i hap rrugë statusit”, shkuan Bregu.
Por, vijon ministrja e Integrimit, “ashtu sikurse kjo opozitë i dënoi shqiptarët tre vjet rresht me bojkotin e saj, ashtu do ta dënojnë dhe shqiptarët atë në 23 qershor”.
“Ne jemi të vendosur ta bashkojmë Shqipërinë me familjen Europiane, ‘NE JEMI NDRYSHIMI-PËRPARA!’”, shkruan ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, duke kujtuar sloganin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit
...