“PD-ja drejt fitores së një mandati të tretë qeverisës”
Flasin Majlinda Bregu dhe Tritan Shehu
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe deputeti demokrat Tritan Shehu pohojnë se ndryshimet në qeveri janë në përputhje me realitetin, ndërsa sipas tyre, theksi nuk janë emrat konkretë që shkojnë në kabinet, por reformat dhe finalizimi i tyre me sukses
Zërat e fundit në Partinë Demokratike, për rifreskim të strukturave të selisë blu, nuk konsiderohen fenomen shqetësues nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe deputeti demokrat Tritan Shehu.
Ata shprehen se Partia Demokratike është në proces të vazhdueshëm ndryshimi që vjen në përputhje me realitetet që krijohen. Bregu thekson se është tregues i pjekurisë demokratike fakti që deputetët në PD shprehen lirshëm për pikëpamjet e tyre.
“Gjithkush ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Është shumë mirë që deputetë të ndryshëm shprehin qëndrime të ndryshme, kanë mendime dhe spikatje individuale”, u shpreh Bregu.
“Që nga dita e parë e themelimit të saj e deri më sot është një parti që vazhdimisht është në dinamizëm, inovacion, në përshtatje me realitetet që krijohen dhe zhvillimet e Shqipërisë. Është një forcë politike që i ka ndjekur hap pas hapi nevojat e vendit”- tha Tritan Shehu. Duke iu referuar ndryshimeve në qeveri Majlinda Bregu dhe Tritan Shehu shprehen se këto ndryshime nuk duhen lidhur me emra konkretë por duhen lidhur me reformat dhe finalizimin e tyre me sukses. Të dy zyrtarët e lartë të PD-së janë të bindur për fitoren e një mandati të tretë qeverisës nga koalicioni aktual.
Sipas tyre qeveria ka treguar se është angazhuar në ndërmarrjen e reformave për zhvillimin e vendit.
“Përgjigjen për qeverinë e mirë, për qeverinë e suksesshme dhe për mazhorancën e mirë dhe mazhorancën e suksesshme, do ta japë qershori i vitit të ardhshëm, 2013-ës”, tha ministrja e Integrimit.
Ndërsa deputeti Tritan Shehu shton se, “nuk ka pse kjo gjë të kondiciohet detyrimisht me emra dhe mbiemra të veçantë. Këto janë elementë parimorë, zhvillues dhe demokratikë të Partisë Demokratike”, tha ai.