Wollfarth: Të gjendet një zgjidhje për të ardhmen

Tre ditë para se të përfundojë afati i komisionit për reformën zgjedhore, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth është takuar për mëse 1 orë në selinë rozë me kreun e PS-së Edi Rama. Në një prononcim për mediat pas takimit, ambasadori Wollfarth apeloi sërish palët për të gjetur kompromis për përfundimin e reformës zgjedhore.
“Me rëndësi që kjo zgjidhje të gjendet mes partive të përfaqësuara në parlament. Komisioni për Reformen ka bërë punë shumë të mirë, por duhet të gjendet zgjidhje për çështjet që janë ende të hapura e ato duhet të gjenden të tilla që të sigurojnë besimin e votuesve. Të gjendet një zgjidhje që sheh nga e ardhmja, që të kemi një proces teknikisht korrekt” theksoi Wollfarth.
Ai ka shtuar se ekziston mundësia për një zgjidhje për reformën zgjedhore ndërsa tha se më shumë e rëndësishme sesa koha e përfundimit të afatit të komisionit për reformën zgjedhore është transparenca . "Ekziston mundësia për zgjidhje, ajo është afër. Janë gurët e fundit politik për të ndërtuar urën" shtoi ai.
Ndërkohë që mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore përfundon më 12 korrik, palët nuk kanë rënë dakort për 3 çështje siç janë struktura e KQZ-së, procesi ankimor dhe sistemi elektronik i numërimit të votave.