PD-ja voton e vetme ndryshimet në Rregullore, opozita braktis seancën
Eljona Ballhysa
Pas një debati maratonë gjatë seancës së djeshme parlamentare, maxhoranca ka votuar e vetme me 73 vota pro, propozimet për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, ndërsa opozita ka braktisur seancën. Përfaqësuesit e opozitës që në fillim të seancës deklaruan votën kundër ndryshimit të Rregullores dhe propozimit të PD-së për të votuar hapur dekretet e Presidentit të Republikës. Madje ata kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e mëtejshëm të amendamenteve dhe konsultimin me praktika të ndryshme të vendeve europiane për çështje të ngjashme. Por, deputetët e maxhorancës mbrojtën propozimet e tyre. Në emër të grupit nismëtar të amendamenteve për Rregulloren e Kuvendit, Viktor Gumi tha se parlamente të ndryshme të vendeve të Europës kanë zgjedhur si model votimin e hapur për dekretet. Gumi vuri në dukje se “në këtë nismë ne bazohemi te modeli amerikan, i cili është model i rëndësishëm për parimin e ndarjes së pushteteve, për transparencën e procesit dhe për zgjedhjen në krye të organeve më të rëndësishme të Gjyqësorit të njerëzve me nivel të lartë morali dhe profesionalizmi”. Në këtë kuadër, ai u shpreh se zgjatja e kohës së shqyrtimit të dekreteve dhe votimi i hapur garantojnë standardin e transparencës, në respekt të Kushtetutës dhe opinionit të Komisionit të Venecias.
Largimi
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh se socialistët nuk do të bëhen bashkëfajtorë të ndryshimit të Rregullores së Kuvendit. Socialistët argumentuan se ndryshimi i Rregullores nuk i jep zgjidhje krizës politike në vend. Madje ata shtuan se ndryshimi i Rregullores intimidon deputetët që tani duhet ta bëjnë publike votën e tyre. “Ndryshimet në Rregullore godasin integritetin politik të deputetëve”, - theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Ruçi. Sipas tij, ndryshimi i Rregullores është një vendim ogurzi për parlamentarizmin. “Grupi Parlamentar i PS-së, për të mos qenë vetëm bashkëfajtor dhe bashkëpërgjegjës, por edhe as dëshmitar i këtij akti të turpshëm, i këtij votimi që është një votim ogurzi për parlamentarizmin, largohet nga salla”, - tha kryetari i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi.
Pasi kreu i deputetëve socialiste Ruçi deklaroi largimin e deputetëve socialiste nga salla e Kuvendit, reagoi menjëherë kreu i Grupit të deputetëve demokratë. “Kjo nismë që do të miratohet sot nuk ka parasysh as një, as dy dhe as tre gjyqtarë të veçantë, por krijimin e një praktike transparente dhe një standardi të ri që do të funksionojë për një kohë të gjatë në vend, sa herë që politika duhet të marrë vendime për pushtetin gjyqësor”,- tha Patozi.
Por, socialistët më herët e kishin kundërshtuar propozimin e demokratëve për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit duke e cilësuar atë në kundërshtim me parimet e Kushtetutës për fshehtësinë e votës së deputetëve. Deputeti i opozitës, Damian Gjiknuri, argumentoi nga ana ligjore pse nuk duhej ndryshuar Rregullorja. Ai tha se amendimi i Rregullores synon t’u heqë deputetëve dhe kështjellën e fundit të pavarësisë, që është vota. “Me këtë akt, kryeministri Berisha kërkon të heqë vullnetin e deputetit që shprehet me votën e fshehtë, duke tentuar të ushtrojë kontroll mbi votën e tij. Ky është një rrezik që kërcënon parlamentarizmin. Kjo është çështje votash dhe ju keni frikë nga rrjedhja e votave të maxhorancës”, - tha deputeti Gjiknuri duke iu drejtuar grupit të deputetëve të djathtë në Parlament.
Çështja çame, debat në Kuvend mes Tahirit dhe Dules
Partia për Drejtësi dhe Unitet kërkoi gjatë seancës së djeshme parlamentare që Kuvendi i Shqipërisë të reagojë mbi çështjen çame në kuadër të Javës Kulturore të Çamërisë, duke kërkuar edhe një minutë heshtje, e cila u mbajt nga të gjithë deputetët, me përjashtim të Vangjel Dules, çka solli edhe reagimin e deputetit të PDU-së, Dashamir Tahiri. Më parë, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, bëri thirrje që të mos harrohet qoftë edhe për një çast çështja çame. “Me kujtimin e tyre sot, Partia për Drejtësi dhe Unitet nuk bën një ritual rutinor të përvitshëm. Ajo kërkon drejtësi për një pjesë të popullit dhe kombit shqiptar, si popullsia çame, një popullsi që ka një histori të ndritshme rezistence, lufte ndaj pushtuesit, që i ka dhënë kombit të vet, pasuri kulturore, muzikore, folklorike të paçmuara”, - tha Idrizi. Ai deklaroi se PDU-ja është shumë afër gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për këtë çështje ende të pambyllur. “Ne po grumbullojmë materiale për të ndjekur ligjërisht padrejtësinë që është kryer mbi popullsinë tonë. Ne po asistohemi nga një studio mjaft prestigjioze britanike, e specializuar për krimet e luftës dhe shumë shpejt do të shihet se ç’do arrijmë të bëjmë. Ne kërkojmë që pala greke të kërkojë falje për këtë krim të shëmtuar. Ne kërkojmë që pala greke t’u kthejë pronat atyre që i takojnë. Ne kërkojmë që të nderohen viktimat e pafajshme që dhanë jetën pafajsisht vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë. Të ngrihet një lapidar, një memorial në qendrat e qyteteve ku ata u larguan me forcë, me përdhunë”, - është shprehur Idrizi. Më pas, deputetët e ftuar nga deputeti Idrizi mbajtën një minutë heshtje për të vrarët gjatë gjenocidit ndaj popullsisë çame, me përjashtim të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili nuk u ngrit në këmbë. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të deputetit të PDU-së, Dashamir Tahiri. “Parlamenti mbajti 1 minutë heshtje për përkujtimoren e masakrës së Çamërisë. Por ti nuk u ngrite në këmbë, por ja ku po ta them unë, të mësoj unë si mbahet zia ty këlysh i Zervës”, - tha Tahiri. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Vangjel Dules që nga vendi u shpreh i indinjuar më shumë për faktin se kryetarja e Parlamentit nuk reagoi. Dule iu përgjigj duke thënë se sjellja e tij është personale. “Kur bëhen kërcënime të tilla këtu menjëherë mblidhen truprojat, nuk e di pse zonja Topalli nuk reagon kur nga podiumi bëhen kërcënime reale. Ja ku po e them se kur ngrihem unë e për çfarë ngrihem e flas në podium, është çështje individuale, se kjo që bërë ti sot është kërcënim i hapur ndaj meje. Qëndrimi im është pjesë e zgjedhjes dhe bindjeve të mia dhe këtë nuk mund ta diskutoj me askënd”, - tha Dule. Përplasja dhe replikat mes dy deputetëve e detyruan drejtuesen e Kuvendit të ndërpresë për pak minuta punimet e Kuvendit.
25 Qershor 2010