Bregu: “Parlamenti Europian miraton në shtator heqjen e vizave për Shqipërinë”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi dje në seancë parlamentare se Parlamenti Europian do të miratojë në muajin shtator heqjen e vizave për shqiptarët. Bregu tha se miratimi i Rezolutës nga Komisioni i Jashtëm i PE-së është tregues se rruga e integrimit të Shqipërisë është e pakthyeshme. Ajo tha se qeveria është e përkushtuar në angazhimin e saj për integrimin e vendit. Në fjalën e saj Bregu akuzoi kryesocialistin Rama se ka kërkuar të pengojë vizat dhe integrimin për shqiptaret. Ajo shtoi se Rama po çon opozitën në qorrsokak. Rezolutën e PE-së e përshëndeti edhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila në fjalën e saj falënderoi Komisionin e Jashtëm të PE-së për miratimin e Rezolutës për integrimin e Shqipërisë. Ajo nënvizoi se priste që edhe opozita të shprehje mirënjohje për PE-në për këtë vendim. “Kjo është ndër datat historike dhe prisja të fillonim seancën duke i shprehur mirënjohje PE-së për këtë vendim historik. Dy ditë më parë opozita bëri të pamundurën që Komisioni i Jashtëm në PE të mos miratonte Rezolutën për integrimin. Por, përpjekja juaj dështoi, zoti Rama”, - tha Topalli. Pas kësaj deklarate ka reaguar deputeti i PS-së, Namik Dokle, i cili tha se “Rezoluta e PE-së thekson nevojën urgjente për hetim të shpejtë të autorëve të parregullsive në zgjedhje”. Deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, tha se zgjidhja e krizës vjen vetëm nga transparenca duke hedhur dritë mbi zgjedhjet, por, sipas tij, Berisha mohon prej kohësh këtë kërkesë. “Sepse Berisha kërkon ta hedhë vendin nga një krizë në një krizë tjetër”, - tha Toçi. Edhe deputeti tjetër i PS-së, Ilir Gjoni, tha se asnjë përfaqësues politik nuk duhet të marrë meritat për miratimin e Rezolutës për integrimin. “Ne jemi të fundit në rajon në këtë proces”, - tha Gjoni.
25 Qershor 2010