PD kundër propozimeve të opozitës. Patozi: Nuk votojmë paçavure
Ashtu siç edhe përfundoi sesioni i vjetër, ashtu ka nisur edhe ai i riu. Polemikat mes mazhorancës dhe opozitës kanë qenë të ashpra dhe ka shumë pak shanse që në Kuvend të gjendet gjuha e përbashkët për ndryshimet e kërkuara, duke nisur që nga imuniteti.
Kjo gjë është thënë qartë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ky i fundit pohoi se PD nuk do të votojë asnjë propozim të PS-së, pasi ato sipas tij janë thjesht paçavure.
Ne nuk do t`i miratojmë paçavuret e dorëzuara, por po i respektojmë ato. Ne mendojmë se PS-ja i ka sjellë për të zvarritur heqjen e imunitetit dhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë me integrimin e vendit. Ne jemi për një kufizim radikal që shkon drejt heqjes së plotë të imunitetit, tha Patozi gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se 100-vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë në udhëkryq. Ruçi theksoi se ky sesion parlamentar e gjen vendin me një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme.
Sot çelim sesionin e ri parlamentar, sesion që përkon me 100-vjetorin e pavarësisë. Në vigjilje të 100-vjetorit sigurisht qytetarët që na kanë zgjedhur duan të dinë dhe të dëgjojnë nga ne se cilat janë arritjet. Arritja e parë është se na gjen me një president të ri, të zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, e cila sipas nesh nuk ishte një zgjidhje por një zgjedhje, pasi ju e zgjodhët duke dhënë një mesazh aspak të mirë për shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Pa kaluar një muaj nga marrja e detyrës presidenti hodhi firmat e para. Presidenti nuk mori nishan kur në krye të KLD-së zgjodhi një militant partie, ku në SHISH vendosi një drejtues me një të kaluar të zezë që të kujton kohën e SHIK-ut të 92-97, tha Ruçi.
Ai ripërsëriti edhe njëherë paketën e dorëzuar nga opozita për ndryshimet kushtetuese, duke shprehur edhe njëherë qëndrimin e PS-së për kufizimin e imunitetit.
Ne i kemi paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një paketë amendamentesh kushtetuese që kanë të bëjnë me një reformë thelbësore të sistemit të drejtësisë. Kemi propozuar që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e votave të parlamentit. Pra, të marrë fund zgjedhja nga një parti e vetme e gjyqtarëve. Gjithashtu kemi propozuar që edhe Prokurori i Përgjithshëm të votohet nga 3/5-at e deputetëve. Kemi propozuar po ashtu, që ministrat dhe deputetët të hetohen e gjykohen ashtu siç hetohen e gjykohen gjithë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi pra çdo politikan e sidomos pushtetar të gjykohet në gjykatat e zakonshme dhe jo nga gjyqtarët që i kanë emëruar vetë për të marrë pastaj shërbimet e tyre, siç ka ndodhur në disa raste flagrante korrupsioni në Gjykatën e Lartë me ministra të kësaj qeverie. Ndaj kush do barazinë para ligjit për qytetarin dhe pushtetarin në këtë vend, duhet ta votojë këtë ndryshim thelbësor, tha Ruçi.
