PD kundërshton votimin për shkarkimin e Peleshit: Balla: Votohet kërkesa, jo raporti

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Partia Demokratike kundërshtoi procesin e hedhjes në votim të kërkesës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi në seancën e sotme plenare.
Deputeti i PD, Belind Këlliçi u shpreh se, “është e paprecedentë ajo që ndodhi, sepse duhej të hidhej një raport për votim, pastaj tjetri dhe më pas projektvendimi”.
“Drejtuesja e seancës nuk sqaroi opozitën në atë moment”, u shpreh ai.
“Sqarojmë se të gjithë deputetët prezentë të opozitës ishin të vendosur të votonin pro kërkesës, por në pamundësi për të kuptuar se çfarë u hodh në votim, nuk kanë marrë pjesë në votim dhe mund të shihni edhe pamjet. Rezultati nuk është me 10 vota”, tha ai.
Pas pretendimeve të opozitës për paqartësi në mënyrën e votimit të mocionit për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar duke sqaruar procedurën dhe duke kritikuar qëndrimin e opozitës.
“Neni 114, pika 4 e Rregullores e ka sqaruar qartë: votohet kërkesa, jo raporti”, tha Balla.
Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ana e opozitës për mënyrën e votimit, duke shtuar se akuzat e tyre janë të pabaza.
“Nuk ka pasur një kërkesë nga ana juaj për mënyrën e votimit. Për pasojë, sqarojeni dhe kryetarin tuaj, mos dalë në Tv dhe t’ia fusë kot, siç e ka zakon. Nuk votohet raporti, votohet vetëm kërkesa”, u shpreh Balla.
Në vijim, ai foli për mungesën e votave nga opozita, duke e cilësuar si dezertim politik.
“Dezertimi juaj foli vetë. Mali u mbush me rrush, por prodhoi vetëm 10 vota. Gjeni ku kanë shkuar votat tuaja, nuk kanë ardhur nga ne. Pyeteni veten se ku kanë ikur, sepse edhe 26 nga firmëtarët nuk kanë votuar,” deklaroi Balla.
/gj.m/a.f/r.e/