Gogu: Shumica do të tregojë durim në shtetndërtim, vigjilencë për drejtësi europiane

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu takoi reportuesin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder bashkë me një grup gazetarësh austriakë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri Gogu foli për rrugëtimin europian të vendit dhe rajonit si dhe besimin për arritjen e 2027-ës dhe 2030-ës si piketa, ndërtimin dhe pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë, votën e diasporës, zhvillimin ekonomik, punën për të drejtpeshuar zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit, etj.
Ministri Gogu iu përgjigj pyetjes se sa e rrezikon udhëtimin e Shqipërisë hetimi i zyrtarëve të lartë.
Ai nënvizoi se, parimi i prezumimit të pafajësisë është me rëndësi dhe se shumica do të karakterizohet nga durimi shtetndërtues dhe në të njëjtën kohë do të qëndrojë vigjilente për ruajtjen e standardeve të një drejtësie europiane.
Ministri tha se, kanë kaluar vetëm 9 vjet nga ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe se procesi i konsolidimit të tyre vazhdon.
Në lidhje me parlamentin, Gogu tha se ka rol kyç për monitorimin e institucioneve dhe informoi gazetarët për vullnetin e palëkundur të shumicës, shprehur edhe në deklaratat e Kryeministrit Rama, se shumica do të tregojë durim në shtetndërtimin.
Gogu vuri theksin edhe te vota e diasporës, zhvillimi ekonomik dhe balancimi i tij me mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive të Shqipërisë.
Në planin rajonal, ai ritheksoi se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE.
“Shqipëria sjell në tryezën europiane bashkëjetesë fetare, mikpritje dhe energjinë e një shoqërie që po transformohet – nga stereotipi i dikurshëm, në një ekonomi vibrante të rajonit”, tha Gogu.
1 nga 3/gj.m/r.e/a.f/