Sali Berisha vazhdon të qeverisë sikur të mos ketë ndodhur asgjë!!
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, reagoi ndaj sjelljes politike të Sali Berishës, i cili vazhdon të sillet si kryeministër i Shqipërisë.
Në një koment të tij, postuar në Facebook, Gjiknuri thotë se Berisha kaloi sot një vendim qeverie për çështje delikate të shtetësisë, që karakterizohet nga populizmi i tij, populizëm që populli e ndëshkoi me votë.
Të njëjtën gjë kërkon të bëjë me pensionet dhe rrogat apo me afera të tjera financiare sikur të mos kish ndodhur asgjë duke thelluar gropën financiare që ka krijuar ndër vite.
Ky zotëri nuk ka më legjitimitet për të qeverisur pavarësisht se është akoma në detyrë si një qeveri në ikje.
Ai nuk mund të marrë vendime që krijojnë pasoja për mazhorancën e re pasi populli e flaku nga pushteti pikërisht për dëmet që i shkaktoi kësaj shoqërie.
Të njëjtin nxitim dhe papërgjegjshmëri po stimulon edhe tek pushtetet e tjera të pavarura duke emëruar njerëz besnikë për tu mbrojtur nesër apo për të sistemuar militantët e tij në ikje nga zyrat që kishin okupuar. Kjo po ndodh në drejtësi, ILDKP, Prokurori dhe kudo ku ai ka akoma influencë pushteti.
Mazhoranca e re ka marrë një mandat gati kushtetues për t’i adresuar këto probleme duke lëshuar sinjale të qarta për frenimin e shkatërrimit të mëtejshëm të institucioneve nga kryeministri në ikje.
Shumica e re mund të ketë vështirësi në adresimin e problemeve ekonomike që trashëgon, por ka detyrimin parësor për të bërë drejtësi dhe shtet ligjor.
Populli mund të duroje varfërinë, por s’mund të tolerojë pafundësisht padrejtësinë dhe arrogancën qeverisëse, prandaj e ndëshkoi atë me votë plebishitare në 23 qershor, shkruan Gjiknuri.
Një javë më parë kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, i bëri thirrje qeverisë në detyrë të shmangë marrjen e vendimeve që cenojnë verdiktin e shqiptarëve më 23 qershor, duke paralajmëruar se çdo vendim i marrë pas 23 qershorit, mund të anulohet pas një monitorimi të rreptë.