PD lë të hapur mundësinë e kandidimit të Nanos për president
Partia Demokartike, ndryshe nga PS, e cila ka qenë hapur kundër kandidimit të Nanos për president deri më tani, duket se e ka lënë të hapur mundësinë që ai të kandidojë pas një viti.
Dy përfaqësues të lartë të saj, dje ministri i Bujqësisë, Genc Ruli dhe sot nënkryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, nuk janë shprehur kundër kandidimit të Nanos.
Paloka e sheh ish kryetarin e socialistëve si një figurë politike me përvojë, por vota pro apo kundër tij mbetet një çështje e vendimit politik të partisë.
Krahasuar me ambientin politik shqiptar, me njerëzit që mund të kenë staturën për tu prezantuar dhe për të kandiduar për një rol kaq të rëndësishëm, z. Nano ka një CV të përputhshme, thekson Ruli, por vijon ai, natyrisht z.Nano duhet të ketë një aksion politik me të cilin duhet të bindi në radhë të parë rreshtimin e tij politik të PS-së, ku do ta ketë të vështirë për shkak të Ramës, i cili ka uzurpuar vullnetin e PS-së, deklaronte dje Ruli.
Pra, demokratët nuk e përjashtojnë kandidimin e Nanos për president, ndërsa PS, duke parë që Nano prej vitesh ka punuar kundër kësaj partie, është shumë e vështirë që të pranojë kandidaturën e Nanos, në mos e pamundur.