E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS e ka derën e hapur për ata që duan rrëzimin e Saliut e Metës

Share

Kreu i PS-së vazhdon të ftojë të larguarit e të pakënaqurit të bashkohen me PS-në gjatë takimit në Durrës, ku përçarja ka qenë e përhershme

Nga Blerina Gjoka

Dega e PS-së Durrës është një nga degët më problematike për këtë parti, pasi përçarja e socialistëve, e nisur që në vitin 2005 pas humbjes së pushtetit, vazhdon të jetë e madhe. Një grup jo i vogël socialistësh me në krye ish-drejtues të partisë, si Bardhyl Agasi kanë qenë në kritikë ndaj drejtimit të Ramës dhe kanë krijuar dy rryma të ndryshme brenda PS-së në këtë degë, duke i shkaktuar shumë firo në zgjedhje. Por që nga kongresi i fundit i 5 majit, kur Bardhyl Agasi ishte zgjedhur të qëndronte në podiumin drejtues, dhe kur të tjerë kritikë nga socialistët durrsakë u bënë pjesë e strukturave të reja, nisi një erë e re, era e bashkimit. Në këtë frymë ishte dhe fjalimi i mbajtur të martën në darkë nga kryesocialisti Edi Rama në asamblenë e zgjeruar të kësaj dege, ku ai ftoi të gjithë të bashkohen me PS-në. PS njoftoi se takimi me strukturat e rëndësishme të qarkut të Durrësit është zhvilluar lidhur me aspekte themelore sa i takon organizimit dhe komunikimit të degës së PS së këtij qarku me qytetarët duke pranuar problemet që ekzistojnë prej vitesh në organizimin e kësaj dege.

Kryetari Rama në këtë asamble të zgjeruar të këtij qarku foli mbi rëndësinë që do të marrë çdo anëtar, por edhe çdo i zgjedhur i PS: Do ti japim një peshë më të madhe anëtarëve të partisë, forumeve dhe jetës së brendshme, për më shumë kohezion dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Asambleja e zgjeruar e qarkut dhe e rrethit janë forume që do ti vëmë në funksion të plotë. Forume të cilat do të mblidhen sistematikisht, tha ai.

Fitorja e zgjedhjeve lokale në Bashkinë e Durrësit është cilësuar nga kreu i PS si një fitore që pakkush e priste. E, duke vazhduar më tej arsyetimin, Rama ka orientuar anëtarët e kësaj asambleje për nevojën e një vetëdijeje për fazën e re ku e gjithë PS ka hyrë, atë të shpenzimit të të gjitha energjive për organizimin. Ta kthejmë jetën e partisë në një jetë aktive. Të krijojmë mundësi që të zgjedhurit e niveleve më të larta të kërkojnë llogari dhe të japin llogari.  Të kemi brenda vetes kohezionin si një familje politike duke pranuar dhe bashkëpunuar me njëri tjetrin, u shpreh ndër të tjera Rama.

Duke rinënvizuar faktin se Partia Socialiste është një forcë politike me një organizim, transparencë dhe vendimmarrje krejt ndryshe nga forcat e tjera politike në vend, Edi Rama vlerësoi domosdoshmërinë dhe nevojën e qytetarëve për vendosjen e një demokracie funksionale: Nuk kemi asnjë kusht tjetër për të afruar njerëzit, përveç kushtit që të duan largimin e këtij pushteti dhe vendosjen e një demokracie funksionale. Vend në këtë parti ka për të gjithë. Në kushtet e një regjimi fashist mjafton të jemi të gjithë bashkë. Nuk kemi pse të kemi luhatje. Meta është me Saliun, tek Saliu për Saliun. Jemi në opozitë për ta rrëzuar bashkë me Saliun. Të rrisim anëtarësinë e Partisë Socialiste me 30%, vendim ky që morëm në Kongresin e 5 nëntorit dhe që e kemi pjesë të Programit tonë të ri.

Kryetari Rama ka kërkuar nga të zgjedhurit e kësaj asambleje një punë edhe më të madhe dhe kjo kryesisht në aspektin e komunikimit dhe hapjes së partisë për njerëzit: Detyra jonë është të afrojmë njerëz, të shtojmë fuqinë, të jenë pjesë e kësaj historie që po e shkruajmë së bashku, përfundoi lideri i opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›