E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, luftë mes sektit holandez dhe veterinerëve

Antena brenda familjes

Marko Bello, politikani i vetëm, me sa duket, nga opozita që nuk ka ikur me pushime, është shqetësuar realisht se TVSH jo vetëm që nuk është televizion normal nga ana profesionale, por, më keq akoma, po përdoret dhe si kobure për luftërat e brendshme politike në PD. Zoti Bello këmbëngul se TVSH është e njëanshme dhe tërësisht e kontrolluar nga Berisha dhe Topalli, dhe përdoret për luftë të brendshme politike në PD. Unë që mbuloj çdo ditë në këtë rubrikë zhvillimet e padukshme, u çudita shumë, se nuk e kuptoja dot se si ky televizion arrin të përdoret në mënyrë korrekte mes Berishës dhe Topallit dhe, nga ana tjetër, përdoret dhe për luftë të brendshme në PD. Shpëtimtari im, Flamuri, i sapokthyer nga pushimet dhe i lodhur natyrisht nga pyetjet e mia, shpeshherë profane, u çudit shumë nga ky konstatim.

- Është e vërtetë, - tha, - që ai buri dhe ajo gruaja nuk kanë bërë sherr për TVSH. Ata merren vesh në distancë dhe nuk i hyjnë njëri-tjetrit në pjesë. Tani, ajo gruaja ndonjëherë e tepron, por i tërheq veshin ai burri dhe qetësohet. Se merr kot ndonjëherë ajo, por e njeh qeni të zonë. E di ku e ka kufirin. Dhe ai burri në fakt e vlerëson shumë faktin që ajo del në televizion. I thotë gjithmonë: “Bravo të qoftë, të punon shumë mirë zëdhënësja!” Por ajo gruaja nuk e pranon këtë fakt, por atij nuk ia thotë dot. Ajo e bën vetë gjithçka. Dhe aktivitetet, dhe lajmet, çdo gjë. Është shumë e zonja për këtë punë.

- Po ku qëndron lufta e brendshme, se s’e kam marrë vesh akoma? Kundër kujt po përdoret TVSH në PD, kur ti thua se Topalli dhe Berisha merren vesh me njëri-tjetrin?

- Ta them unë. Ata ia fusin kot fare. Sidomos ky Bello ia fut fare kot. Dëgjo mua. Të them unë ty. Ai burri nuk ka luftë me asnjërin në PD. Kush thotë kështu, gënjen. E di unë shumë mirë. As do t’ia dijë për asnjë, nëse është gjallë apo jo. Kështu që s’ka luftë të brendshme. Për këtë të siguroj unë. Ajo gruaja po. Ajo është problem. Se ajo gruaja nuk do të shikojë njeri rrotull veç saj. Ajo e ka me Bamirin. Kur del ai, asaj i hipën gjaku në kokë dhe do të dalë patjetër. Ku shkon ai, do shkojë dhe ajo pas dy ditësh. Çfarë bën ai, do bëjë dhe ajo. Ka shpikur këtë termin ‘diplomaci parlamentare’. Nuk kam dëgjuar në asnjë vend të botës të ndodhë. Diplomacia është profesion, nuk është aktivitet. Ajo gruaja na e ka bërë aktivitet. Si fushatë korrje-shirjesh. Diplomacia bëhet në emër të shtetit shqiptar dhe ka mekanizma që e realizojnë, ministri i Jashtëm, ministri i Integrimit dhe kryeministri. Për ndonjë protokoll të lartë është dhe presidenti, por gjithmonë në funksion të planit të qeverisë. Diplomaci nga parlamenti është herë e parë që dëgjojmë. Dhe s’do kishim dëgjuar kurrë, sikur mos të ishte Lul Basha ministër i Jashtëm dhe Majlinda Bregu ministre e Integrimit. Ata e kanë futur në atë qorrsokak. Se nuk duron dot që ata të takohen me të huaj dhe ajo mos takohet.

- D.m.th., ti thua se Marko Bello e ka fjalën për luftën mes grupit të Topallit, Bamirit dhe KOP-it?

- Nuk është tamam kështu, se Topalli nuk ka grup, por lufton mos krijohet ndonjë grup kundër saj. KOP, po. Ata pisat janë si sekt dhe përgjojnë ku të fusin hundët. I mban afër ca dhe ai burri, s’ke ç’i bën. Por ajo ata s’i duron dot fare. Më parë iu ka pas thënë “sekti holandez”, po pastaj u nxeh ai burri dhe nuk u thotë më.

- Po pse u nxeh?

- U nxeh, se në fillim qeshi, se mendoi se e kishte kundër Lul Bashës, ngaqë ka mbaruar në Holandë. Pastaj, dikush ia shpjegoi, më duket Glori Husi, që “sekt holandez” d.m.th., sekt homoseksualësh dhe u nxeh shumë ai burri. E bëri për një lek dhe s’e përmend më as ajo. Dhe ne fshehurazi e përmendim.

- Po me grupin e Bamirit çfarë ka?

- Nuk ka gjë me ta, e ka me Bamirin. Herë do t’i mbajë afër ata, pastaj, kur i shikon në ndonjë drekë a darkë me Bamirin, i largon. Po s’ka inat me ata, e ka me Bamirin. Ka pas thënë dikur një të fortë. “Na u bë PD çarapë, na u bë. Ky doktori nuk asht në rregull, - tha, - na e mbushi PD me “holandezë”, e Presidencën me veterinerë, a thua se shqiptarët janë lopë dhe nuk e shikojnë që PD mund të ngelet në dorë të ....holandezëve”. Po vajti llafi në vesh të atij burrit dhe u bë nami pastaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›