E Diel, 1 Nëntor 2026

PD mban konventën për fermerët, Berisha: Nuk do ndalemi sa të ndryshojmë Shqipërinë rurale

Gazeta Shqip

berisha-nejemindryshimiPartia Demokratike ka zhvilluar pasditen e sotme Konventën Për më shumë mbështetje ndaj fermerëve, në të cilën është paraqitur dhe diskutuar programi i kësaj partie për Shqipërinë rurale dhe bujqësinë moderne. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në tetë vite qeverisje është bërë punë e madhe për zhvillimin rural të vendit, por ku proces sipas tij nuk ka mbaruar me kaq.

Këtu u fol për punën e bërë gjatë këtyre viteve për zhvillimin rural. Ne jemi krenar, vlerësojmë dhe frymëzohemi prej fermerëve. Tek fermerët puna nuk mbaron kurrë dhe ne u detyrohemi atyre shumë më tepër se kaq sa kemi bërë. Fermeri është kujdestari i Zotit për tokën, rrudhat e tyre janë vulat e Zotit për punën e tyre të mrekullueshme dhe ne do të bëjmë gjithçka për tua shpërblyer atë që ata bëjnë për shoqërinë.

Do të bëjmë gjithçka që çdo fshat i Shqipërisë të ketë infrastrukturën më të nevojshme dhe të përshtatshme. Ne garantuam furnizimin me energji elektrike. Mandati i ardhshëm është mandati i përfundimit të infrastrukturës më moderne. Vrapi ynë nuk do të ndalet derisa ti garantojmë fshatit shkolla të njëjta me qytetin, ujë të rrjedhshëm dhe energji. I garantoj fermerët se përparësia e parë për Partinë Demokratike do të jetë kullimi në tokat me sera, tha ai.

Më tej Berisha ka premtuar mbështetjen e fermerëve për nxitjen e prodhimit të produkteve të tyre, sidomos atyre bio, që sipas tij do të përhapen në gjithë Evropën.
Prodhimet bio janë misioni dhe e ardhmja e fermerëve shqiptarë. Ju nxis të ecni sa më shumë drejt bios, që prodhimet tuaja të njihen në mbarë Europën. Ne do nxisim prodhimin në mbarë Shqipërinë, ka thënë Berisha.
Peshkimi ka qenë një tjetër sektor i prekur prej tij, i cili sipas fjalëve të kryeministrit në katër vitet e ardhshme do ketë përparësi të madhe.
Shumë shpejt ne do bëjmë të mundur kredinë e butë me 20 milionë euro, që peshkatarët të kenë mjetet më moderne për të peshkuar në Adriatik dhe Jon, ka shtuar Berisha.

Ndërsa Ministri i Financave, Ridvan Bode, në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të zonave rurale në Shqipëri duke i quajtur ato shpirtin i këtij vendi.

Kur zhvillohet Shqipëria rurale nuk ka rëndësi ku jeton gjithsecili. Të gjithë shqiptarët meritojnë një punë më dinjitoze, fermerët janë pjesa e kombit që siguron mirëqenien me sakrifica të mëdha, ata falin dashuri dhe përkujdesje për produktin e tyre, kultivojnë jetë bimësh dhe gjënë e gjallë. Ne besojmë se zonat rurale janë shpirti i këtij vendi, kur fshatrat dhe komunat tona zhvillohet mbarë Shqipëria zhvillohet, u shpreh Bode.

12 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)

PD mban konventën për fermerët, Berisha: Nuk do ndalemi sa të ndryshojmë Shqipërinë rurale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›