Ndërtohet pa zhurmë
Ura e cila kur nisi të ndërtohet doli të jetë më shumë problem, e jo zgjidhje hallesh, tash nuk është më e tillë. Ajo po ndërtohet pa shumë zhurmë.
Punëtorët punojnë çdo ditë në këtë urë që kur të ndërtohet, do të lidhë fshatin Prilluzhë të banuar kryesisht me serbë me 12 fshatra përreth që banohet kryesisht me shqiptarë. Themelet e para të urës tashmë janë vënë.
Madje edhe mbeturinat që ndodheshin në vendin ku më 15 gusht serbët dolën të revoltuar dhe bllokuan rrugën në shenjë proteste për të mos lejuar ndërtimin e saj, tash janë larguar. Ato janë zëvendësuar me beton e hekur, derisa cilindri bën punën e vet. Pavarësisht pluhurit që banorët serbë të këtij fshati ngritën ditën kur ekskavatorët nisën të gërmojnë, në anën tjetër të lumit tash mbretëron qetësia. Përveç zhurmës së punëtorëve, askush tjetër nuk dëgjohet.
Duket se serbët janë pajtuar me faktin që kjo urë duhet ndërtuar. Pas ditës kur këta banorë nënshkruan peticionin kundër saj dhe atë ditë të nxehtë gushti bllokuan rrugën duke kundërshtuar ngritjen e urës, aty ka rënë heshtja. Kjo ka bërë që punëtorët e kompanisë “Rukolli”, e cila ka marrë përsipër zbatimin e këtij projekti, të vazhdojnë punën për të cilën edhe janë aty. Madje Habib Zariqi, shef i punëtorëve, thotë se përveç ditës kur banorët e Prilluzhës, kryesisht serbë, u ngritën në këmbë, asnjëri nga punëtorët e tij nuk është ankuar për ndonjë problem.
Sipas Zariqit, deri më tash, asnjë serb i asaj ane nuk ka tentuar që t’i pengojë punimet. “Nuk kemi vërejtur asnjë provokim nga ana e tyre. Përveç që ndonjëherë ata vijnë dhe shikojnë nga larg punimet, askush nuk flet asgjë”, pohon Zariqi për Express.
“Përveç 15 gushtit, kur kemi filluar ndërtimin e urës, e që banorët këtu kanë bërë pak problem, më askush nuk na ka penguar në punë”, thotë Zariqi, derisa pohon se punëtorët janë duke punuar intensivisht dhe pritet që ura të përfundojë brenda 100 ditësh, ashtu siç është përcaktuar në kontratë. “Nëse nuk do të hasim në ndonjë problem që do të vijë prej banorëve serbë këtu, ura do të jetë e përfunduar për tre muaj”, thotë ai.
E serbët që jeton në këtë fshat, të cilët do të duhej t’i gëzoheshin urës, e cila në disa elemente do të ketë ngjashmëri me atë të Ibrit në Mitrovicë, kanë një arsyetim për heshtjen e tyre. Zoran Rakic, kryetar i fshatit Prilluzhë thotë se ai ka marrë premtime nga kryetari i Vushtrrisë dhe nga KFOR-i, se banorët që jetojnë aty do të kenë siguri të lartë pas ndërtimit të saj. “Na kanë premtuar se afër kësaj ure do të ndërtohet stacioni i policisë, prandaj edhe nuk kemi marrë masa të tjera për ta ndaluar ndërtimin e urës”, thotë Rakic për Express.
Pavarësisht këtij premtimi, kryetari Rakic vazhdon t’i ketë dyshimet e tij rreth problemeve që kjo urë mund t’i sjellë në fshat në të ardhmen. Sikurse ditën kur ai bashkë me banorët e tjerë të Prilluzhës kundërshtuan ndërtimin e urës, duke thënë se do të lindin probleme të reja për serbët e kësaj ane, edhe tash mendon njëjtë. Por tash Rakic është i fokusuar në diçka tjetër. “Verës është sezoni i dasmave te shqiptarët. Dihet se nëpër makina vihen flamuj. Ky do të jetë provokim i rëndë, nëse dasmorët kalojnë kah ura”, thotë Zoran Rakic. Përveç kësaj, kjo urë sipas tij, do të mund ta rrisë edhe numrin e vjedhjeve në fshat. “Nuk është se te ne nuk ndodhin vjedhje tash. Por kjo urë do të jetë një rrugë e hapur për vjedhje të tjera shtesë”, flet i shqetësuar kryetari i serbëve lokalë.
Sidoqoftë, Zoran Rakic thotë se nuk është arsye e vetme siguria e banorëve, që i bën ata të kundërshtojnë ndërtimin e urës që lidh Prilluzhën me 12 fshatrat përreth. Ai thotë se edhe neglizhenca që Bajram Mulaku, kryetar i Komunës së Vushtrrisë ka treguar në kohën kur ka marrë vendim për ndërtimin e urës, ka bërë që serbët të kundërshtojnë. “Mua askush nuk më ka ftuar në takim kur është biseduar për urën. Kryetari më ka thënë se kundërshtuam apo jo, ura do të ndërtohet”, thotë Rakic.
Por ndryshe pati thënë vetë kryetari Mulaku, ditën kur serbët e Prilluzhës bllokuan rrugën, afër së cilës nisi ndërtimi i urës, që u bë aq problem sa aty zbriti edhe kryeministri Hashim Thaçi. Bajram Mulaku pati thënë se kur udhëheqësit e fshatit janë ftuar për takim nga krerët e komunës së Vushtrrisë, për të diskutuar rreth këtij projekti, ata nuk kanë marrë pjesë fare në mbledhje.
“Rreth shqyrtimit të këtij projekti, ndërmjetësues mes Komunës dhe udhëheqësve të fshatit ka qenë edhe KFOR-i. Para projektit për nderimin e urës, serbët kanë pranuar të bisedojnë për të gjitha projektet”, pati sqaruar Mulaku për Express. Por sipas tij, kur ka ardhur radha e shqyrtimit për këtë projekt, serbët janë tërhequr nga takimi.
Pavarësisht të gjitha këtyre ankesave që ka Rakic, ai vlerëson se ura do të jetë diçka e mirë për fshatin. “Unë e di që ura do të shkurtojë shumë rrugën dhe do të sjellë diçka të mirë në këtë fshat. Por pres që premtimi për siguri të realizohet”, shprehet Rakic, derisa thotë se nëse kjo çështje nuk do të rregullohet pasi të ndërtohet ura, banorët do të ndërmarrin masa, sikurse ato të 15 gushtit, të dalin në protesta.
Ura në të ardhmen
I gjithë projekti i ndërtimit të kësaj ure problematike, Komunës së Vushtrrisë do t’i kushtojë mbi 380 mijë euro. Kjo urë lidh 12 fshatrat shqiptare përreth fshatit Prilluzhë, me magjistralen Prishtinë – Mitrovicë. Ura e cila pritet të lëshohet në qarkullim pas 3 muajsh, është e gjatë 110 metra, kurse gjerësia e saj duke përfshirë edhe trotuaret, arrin deri në 7 metra.