PD mbledh grupin parlamentar, Berisha: Buxheti i vitit të ardhshëm, më i madhi në historinë e vendit – garanci për rritjen e pagave dhe pensioneve
Shefi i ekzekutivit u shpreh sot në mbledhjen tradicionale të grupit parlamentar të Partisë Demokratike se buxheti i vitit 2013-ë do jetë më i madhi në historinë e vendit me 400 mld lekë, i cili garanton rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe avancimin e investimeve në infrastrukturë dhe projekte të tjera me impakt direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve
UPDATE- “Buxheti i vitit 2013 do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit dhe do të ketë si përparësi rritjen e rrogave dhe pensioneve”. Kështu u shpreh sot në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha. Sipas tij, buxheti i ardhshëm do të jetë 400 miliard lekë dhe kjo përbën një arritje madhore në drejtim të përshpejtimit të ritmeve të zhvillimit të vendit.
“Kryefjala e këtij takimi është buxheti i vitit 2013 i cili ashtu sikundër pritet dhe e prisni do të jetë buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Buxheti i vitit 2013 është buxhet i cili tejkalon ndjeshëm buxhetin e vitit që shkoi. Ai kap shifrën e mbi 400 miliard lekë dhe kjo përbën një arritje madhore në historinë e këtij vendi. Kjo është dëshmi e performancës dhe e funksionimit të modelit ekonomik të kësaj mazhorance, suksesit të reformave në këtë fushë. Kjo është dëshmi e faktit se kjo ekonomi e vogël por dinamike po i reziston krizës më të madhe që kontinenti ka njohur në 80 vitet e fundit në rrafshin ekonomik dhe financiar”- deklaroi kryeministri Berisha. Ai premtoi rritjen e pagave për arsimtarët, mjekët e pensionistët. Sipas kryeministrit, deri më tani janë rrritur me 147% rrogat e arsimit parashkollor, me 132% rrogat e arsimit 9-vjecar, me mbi 120% rrogat e arsimit të mesëm, me mbi 147% rrogat e mjekëve, me mbi 135% rrogat e infermierëve. “Si çdo vit do rriten rrogat e pensionet, rritja e buxhetit do tejkalojë inflacionin dhe indeksimin e çmimeve. Rritja do ketë përparësi rrogat e ulëta e të mesme, do ecë me filozofinë e ngushtimit të diferencave mes rrogës mesatare e maksimale, rritja e rrogave dhe pensioneve një nga qëllimet më madhore por edhe një nga realizimet më të rëndësishme të kësaj qeverie. Do rriten edhe rrogat e punonjësve të administratës, rritje do ketë në sektorë të caktuar në përputhje me vështirësitë e tyre. Në 2006 difernca gjinore në paga ishte dëshpëruese, arrinte në mesataren e saj 36%, pra vajzat dhe gratë merrnin rrogë 36% më të ulët se djemtë dhe burrat e këtij vendi, çka kishte lartësuar murin ndarës të shoqërisë”, theksoi më tej kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë ky buxhet do jetë, “Buxheti i finalizimit të qindra e qindra projekteve në të 4 anët e vendit”. “Ky është buxheti i qytetarit, pasi 820 mijë qytetarë shqiptarë do kenë rritje të ardhurave mujore direkt nga arka e shtetit, pra jo vetëm rrogat por të gjitha pensionet, vecanërisht pensionet më të ulëta do të rriten. Investimet do të jenë më të mëdha se viti që lamë pas, do rriten në mbështetje të fermerëve shqiptarë”- tha më tej ai.