Presidenca e BE: “Nuk ka më kohë, presim votimin e reformave të integrimit”
Flet ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Marcoullis
Brukseli ngut Shqipërinë të votojë brenda pak javëve ligjet që kushtëzojnë statusin. Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Marcoullis, vendi i të cilës ka presidencën e BE-së deri ne fund te vitit, tërheq vëmendjen se koha nuk është në favorin tonë.
Sipas saj, progresi i bërë nga Shqipëria duhet hedhur në letër deri në 20 nëntor, në mënyrë që këshilli i ministrave të jashtëm të BE-së të vendosë të japë statusin. “Unë dua të shpresoj se realizimi i këtyre kërkesave do të bëhet shumë shpejt, brenda pak javësh. Këto dy kushte duhet të përmbushen sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse ne kemi nevojë t’jua paraqesim materialin tone në kohën e duhur vendeve anëtare, që ata të kenë mundësi ta rivlerësojnë progresin. Ne do të takohemi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 10 dhe11 dhjetor, dhe aty do të kemi një tablo të qartë të progresit të bërë nga Shqipëria”, theksoi Erato Kozakou-Marcoullis, Presidenca e BE-së.
Shefja e diplomacisë qipriote u shpreh për mediat shqiptare në Bruksel se marrja e statusit nga Shqipëria brenda presidencës së vendit të saj, do të ishte një sinjal pozitiv për gjithë Ballkanin. “Një nga prioritetet e Presidencës sonë ka qenë zgjerimi në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria zë një vend të veçantë në këtë rajon. Do të ishte një mesazh i rëndësishëm e shumë inkurajues për vende te tjera të rajonit dhënia e statusit kandidat Shqipërisë, në dhjetor, gjatë presidencës sonë”, vijon ajo.
Diskutimi i rekomandimit te Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat do të kryhet në fillimi të dhjetorit, kur Presidenca e radhës duhet t’i paraqesë një raport mbi progresin e kryer Këshillit të Ministrave. Kjo do te thotë se votimi për tri reformat e mbetura atë parlamentare, ligjin e Gjykatës së Lartë dhe administratën publike, ne parlamentin shqiptar duhet te mbyllet brenda 20 nëntorit.