PD merr mes tensioneve kreun e Qarkut në Fier
Zgjedhja e kreut të Qarkut të Fierit është shoqëruar me tensione të shumta. Socialistët kanë kundërshtuar mbledhjen e sotme, duke kërkuar që ajo të zhvillohej ditën e nesërme, pas daljes së vendimit të gjykatës.
Këshilltarët socialistë kanë paditur prefektin e Qarkut, Bujar Hasa, për shkak se nuk janë pajtuar me mënyrën se si është konstituuar Këshilli i Qarkut.
Tensioni ka qenë i lartë dhe disa prej mbështetësve të Partisë Socialiste kanë hyrë në sallën ku do të zhvillohej mbledhja e thirrur nga prefekti Hasa. Ata janë përplasur edhe me policinë, ndërsa pas disa orësh, anëtarët mazhorancës së Këshillit të Qarkut kanë zgjedhur si kryetar Qarku, Artur Shehun.
Një ditë më parë, në mbledhjen e deputetëve të PS, kreu Rama u shpreh se tentativa e PD-së për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve edhe në këshillat e qarqeve janë një rrezik për konsensusin e shumëpritur mes dy palëve.
I bëj thirrje Ilirit dhe Saliut: Ndalni banditët lokalë, që me dru kërkojnë të përmbysin zgjedhjet legjitime. Kjo që po ndodh është kërcënim i hapur për opozitën dhe rrezik për konsensusin, që duam të japim për të ardhmen, deklaroi Rama.