E Diel, 1 Nëntor 2026

PD merr shumicën në komisionin hetimor

Mungesa e opozitës pengon kuorumin, por mazhoranca vendos të rikthehet me 8 anëtarë

Mazhoranca pritet të marrë “de fakto” shumicën e anëtarëve në komisionin hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur se, në rast se deputetët e Partisë Socialiste nuk do të marrin pjesë në komisionin hetimor, në të cilin mazhoranca u ka premtuar shumicën, atëherë deputetët e PD-së do të detyrohen ta drejtojnë vetë komisionin. Kjo, sepse funksionimi i komisionit hetimor parlamentar kërkon edhe një shumicë anëtarësh për të bërë të mundur arritjen e vendimmarrjes në të. Duke qenë se opozita ka marrë vendimin për të mos qenë pjesë e këtij komisioni, atëherë mazhoranca pritet të shtojë edhe anëtarin e tetë të saj në komision dhe të emërojë edhe “drejtuesin” e tij. Burimet bëjnë të ditur se kalimi i shumicës në duart e mazhorancës është normal, nisur edhe nga fakti se të emërojë pjesën më të madhe të anëtarëve të komisionit është një e drejtë ligjore e saj, e drejtë nga e cila do të hiqte dorë vetëm në rast se opozita do të ishte pjesë e komisionit. Vendimi për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare të shkuara, nuk ishte kërkuar nga mazhoranca në pushtet për asnjë moment deri tri ditë më parë. Kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të siguronte transparencë për zgjedhjet e qershorit të vitit të shkuar, ishte një kërkesë e Partisë Socialiste. Kjo kërkesë u pranua parimisht nga mazhoranca dhe madje Kryeministri Berisha i ofroi opozitës të kishte të drejtën e kryesimit të këtij komisioni dhe po kështu të shumicës në çdo vendim që komisioni do të merrte. Por seanca maratonë e javës së kaluar ndau përfundimisht qëndrimin e mazhorancës me të opozitës në lidhje me ngritjen e këtij komisioni, duke qenë se shumica në pushtet nuk pranoi që brenda tij të bëhej edhe hapja e kutive të votimit. Socialistët u tërhoqën nga nisma e tyre, por mazhoranca vendosi ta ngrejë komisionin, duke u zotuar për të përfunduar dhe për të bërë realitet transparencën e kërkuar nga socialistët në Kuvend. Në këto kushte, shumica parlamentare votoi nismën e PS-së për komisionin me 72 vota pro dhe socialistët, duke protestuar për këtë qëndrim, nuk u bënë pjesë e këtij votimi. Në seancën e tri ditëve më parë u vendos që nënkryetari i këtij komisionit të jetë përfaqësues i Partisë Demokratike, dhe konkretisht kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali. Po kështu anëtarët e tjerë të komisionit nga ana e shumicës u caktuan Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj, Aldo Bumçi, Arenca Trashani, Viktor Gumi, Edi Paloka dhe Nasip Naço si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga ana tjetër, duke qenë se mazhoranca kishte parashikuar që në komision shumica e anëtarëve t’i kalonte PS-së, tetë vendet e tyre janë lënë bosh, nisur edhe nga fakti që komisioni ishte parashikuar të kishte 15 anëtarë. Nga ana tjetër, ditën e martë pritet të jetë edhe mbledhja e Komisionit parlamentar të Ligjeve, që do të vendosë modalitetet përfundimtare të këtij komisioni dhe pritet që mbledhja e tij e parë të zhvillohet brenda kësaj jave. Po kështu pritet që së shpejti mazhoranca të kryejë edhe rregullimet e numrave për sa i përket anëtarësisë në komision, në mënyrë që ai të sigurojë vijimin normal të punës, duke pasur një shumicë të konsoliduar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›