E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Procesverbalet mund ti hetojë kushdo

Intervista me kreun e KQZ, Ristani: Fletët e votimit asgjësohen siç thotë Kodi

Procesverbalet e votimit, tabelat e rezultateve dhe procesverbalet e numërimit janë të vetmet dokumente disponibël për këdo. Këtë konstatim bën kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, teksa pyetet mbi kërkesën e Partisë Socialiste për administrimin e kutive të materialeve zgjedhore. Në një intervistë ekskluzive për “Shqip”, kreu i institucionit të menaxhimit të zgjedhjeve vlerëson se Kodi Zgjedhor përcakton që fletët e votimit nuk ruhen por asgjësohen, ndërsa materialet zgjedhore arkivohen. Ristani sqaron se Kodi nuk ka lënë asnjë hapësirë për KQZ-në apo për këdo tjetër që me materialin e ndodhur në kutitë e votimit të kryhen veprime të tjera. I pyetur për çështjen e problemeve me listat zgjedhore, Ristani mendon se “ndoshta, mund të ketë raste që në listat e zgjedhësve të ketë shkelje ligjore. Them mund, sepse asnjë nga këto pretendime nuk i është nënshtruar rrugës së verifikimit ligjor”. Ristani jep versionin e tij mbi atë çka është cilësuar standard i dyfishtë në nenin e Kodit Zgjedhor që përcakton këqyrjen dhe rinumërimin e votave kur e kërkojnë dy anëtarë të KQZ-së. Në këtë rast drejtuesi i këtij institucioni bën dallimin midis rastit të Ruzhdies dhe atij të qarqeve si Berati, Tirana, Shkodra etj.

Z. Ristani, kohët e fundit, Partia Socialiste ka treguar se mund të tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit, duke e adresuar transparencën e zgjedhjeve te shqyrtimi i kutive të materialeve zgjedhore. Në kuptim të Kodit Zgjedhor, sipas mendimit tuaj, a ka mundësi ligjore për hapjen e tyre dhe verifikimin e materialit zgjedhor?

Më lejoni të nënvizoj diçka para se t’i përgjigjem direkt pyetjes suaj. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 kanë qenë zgjedhjet më transparente të bëra ndonjëherë. Kanë qenë transparente sepse ligjvënësi, me vullnetin e lirë dhe të plotë të shumicës parlamentare, duke përfshirë PD dhe PS, ka dashur të jenë maksimalisht transparente dhe ka ngritur të gjithë mekanizmat e mundshëm ligjorë për të qenë realisht të tilla. Nga ana tjetër, KQZ në bazë dhe në zbatim të vullnetit të ligjvënësit, ngriti të gjithë bazën e nevojshme logjistike për sigurimin e kësaj transparence. Në këtë kontekst të gjerë elementesh ligjore dhe logjistikë, sidomos procesi i numërimit të votave, i cili është më i përfoluri (unë jam i bindur që padrejtësisht), ka qenë i kontrolluar tërësisht në mënyrë të barabartë nga të dyja forcat e mëdha politike. Ky kontroll realizohet nëpërmjet qindra numëruesve, qindra komisionerëve, dhjetëra kandidatëve për deputet, qindra vëzhguesve partiakë, koalicionit të vëzhguesve vendorë dhe të atyre të huaj. Asnjë prej këtyre qindra njerëzve nuk ka bërë as edhe një vërejtje, sado të vogël për procesin. Atëherë natyrshëm lind pyetja: ata që nuk e kanë parë dhe ndjekur procesin nga e mësuan që procesi ka pasur manipulim apo deformim? Nga e mësuan që procesi nuk paska qenë transparent, në një kohë që syri dhe veshi i forcave politike, i mëshiruar te qindra njerëz prezentë gjatë numërimit nuk e pretendoi kurrë këtë gjë? Nuk po i shmangem aspak pyetjes suaj, por desha të theksoj se jam i bindur që e gjithë kjo histori vetëm me mungesën e transparencës nuk ka të bëjë. Sipas Kodit Zgjedhor, më duhet ta ripërsëris, të miratuar me vullnetin e lirë dhe konsensusin e plotë të dy partive më të mëdha parlamentare, pas përfundimit të procesit zgjedhor, hapen kutitë e materialeve zgjedhore dhe procesverbalet e votimit, tabelat e rezultateve dhe procesverbalet e numërimit janë të vetmet dokumente që disponibël për këdo. Sipas Kodit, ato janë dokumente që ruhen në arkiv. Për pjesën tjetër të materialit zgjedhor, Kodi sanksionon se duhet të digjet. Kodi Zgjedhor nuk ka lënë asnjë hapësirë për KQZ-në apo për këdo tjetër që me materialin e ndodhur në kutitë e votimit të kryhen veprime të tjera, përveç atyre që parashikon ligji. Ligjet bëhen për t’u zbatuar, në të kundërt stabiliteti juridik i vendit është seriozisht i kërcënuar.

Për të mbetur te kjo pyetje, sa i vërtetë është në dijeninë tuaj informacioni sipas të cilit në kutitë e materialeve dëshmohen parregullsitë në zgjedhje, përmes evokimit të shkeljeve me listat e zgjedhësve?

Ndoshta, mund të ketë raste që në listat e zgjedhësve të ketë shkelje ligjore. Them mund, sepse asnjë nga këto pretendime nuk i është nënshtruar rrugës së verifikimit ligjor, që nis me ankimin e subjekteve zgjedhore. Nga ana tjetër, besoj në vëzhgimin dhe konkluzionin e OSBE/ODIHR-it, të cilët thonë se ka pasur raste të votimit familjar dhe votimi familjar të çon në dyshimin se mund të ketë gjurmë të tij në listat e votimit.

Për më tepër, është një fenomen që përsëritet nga zgjedhjet në zgjedhje dhe që, për fat të keq, nuk kemi arritur ta shmangim. Me gjithë mundësitë e shkeljeve ligjore në listat e zgjedhësve gjatë procesit të votimit, ato nuk kanë të bëjnë fare me procesin e numërimit, që forcat politike kanë qejf të përflasin, por kanë të bëjnë vetëm me procesin e votimit. Një proces të përshëndetur e të vlerësuar si shumë të mirë nga të gjithë politikanët shqiptarë dhe nga të gjithë vëzhguesit vendas dhe të huaj. Dhe pa dyshim që mbetet një proces realisht shumë i mirë, pavarësisht shkeljes së pretenduar, sepse askush nuk ka menduar gjatë procesit, që shkelja të ketë ndikuar në shtrembërime të mundshme të rezultatit. Ky konkluzion vjen natyrshëm dhe reflektohet te fakti se asnjë nga subjektet zgjedhore nuk u ankua për këtë çështje. Madje, më duhet të theksoj se është kjo parregullsi apo edhe disa të tjera që subjektet zgjedhore dhe të gjithë të tjerët i dinë mirë, të cilat çuan në konkluzionin e OSBE/ODIHR, se Shqipëria nuk arriti të shfrytëzojë të gjithë potencialin e saj për të bërë zgjedhje të standardeve më të larta europiane dhe botërore. Këto shkelje janë të qarta për të gjithë, por po kaq e qartë ka qenë për të gjithë gjatë procesit, se shkelje të tilla cenojnë pjesërisht disa prej standardeve, por nuk ndikojnë në rezultatet zgjedhore. Kjo është më se e vërtetë, sepse po të kishte qenë e kundërta subjektet zgjedhore të cenuara do të ishin ankuar.

Teknikisht administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bën një vlerësim vizual paraprak të materialit zgjedhor përpara se ta marrë atë në dorëzim përfundimtar nga KZAZ-të. A ka pasur raste të verifikimit të parregullsive gjatë marrjes në dorëzim, qoftë edhe për raste që nuk janë përmendur publikisht?

Administrata e KQZ-së nuk bën në asnjë rast vlerësim, as paraprak dhe as përfundimtar të dokumentacionit zgjedhor. është vetëm KQZ-ja, pra 7 anëtarët e saj, të mbledhur në seancë, që mund të shqyrtojë dokumentacion zgjedhor mbi bazën e ankimeve të ardhura nga subjektet zgjedhore. Seancat e KQZ-së janë gjithnjë publike dhe, në këtë mënyrë nuk mund të këtë asgjë jashtë vëmendjes së publikut.

Cili është mendimi juaj rreth zhurmës që po bëhet mbi çështjen “Ruzhdie”?

çështja “Ruzhdie”, në vëmendjen time, ka kuptim negativ dhe shumë shqetësues për fenomenin që ajo përfaqëson. Por kjo çështje, në rast se nuk trajtohet me drejtësi dhe realizëm, kurrë nuk do të sjellë shmangien e problemeve gjatë procesit zgjedhor. Përkundrazi, do t’i agravojë edhe më tepër. Sikundër e trajtuam dhe më lart, falsifikimet në listën e zgjedhësve, ditën e votimit, në rast se vërtet kanë ndodhur, janë shkelje të rënda që duhen dënuar me të gjithë forcën e ligjit. Por, nuk është aspak e drejtë kur shkelja tjetër, edhe më e rëndë se e para, lihet qëllimisht në harresë, sepse ata që merren me këtë punë, bëhen palë me interesat politike, që nuk përkojnë me drejtësinë apo zbatimin e ligjit. është shumë e rëndë kur një subjekt zgjedhor prish qëllimisht procesin zgjedhor në një ose disa qendra votimi, kur e di paraprakisht se subjekti tjetër do të fitojë. Fenomeni i komisionerëve që braktisin detyrën, duke marrë vulën e QV-së në xhep është shumë i rëndë, ligjërisht më i rëndë se falsifikimi i dokumentacionit zgjedhor. Nuk duhet të lejojmë me asnjë mënyrë që ky fenomen të kthehet në një taktikë elektorale që përsëritet pa marrë ndëshkimin ligjor. Së fundmi, çështja “Ruzhdie” provoi se sistemi institucional në vendin tonë funksionon më së miri dhe i pandikuar nga politika. është pikërisht kjo arsyeja që tregon qartë se nuk kemi nevojë të tentojmë rrugë ekstraligjore në vend të atyre ligjore, për sa kohë pretendojmë për shtet të së drejtës.

Fakti që KQZ miratoi vijimin e votimit, pavarësisht tërheqjes së komisionerëve socialistë, e implikon integritetin e vendimmarrjes së Komisionit në tërësi? A krijon rasti i Ruzhdies një precedent nga ku mund të ushqehet një dyshim i përgjithshëm mbi aktet administrative të KQZ?

KQZ-ja, gjatë punës së saj, ka prodhuar me qindra akte administrative, nga të cilat vetëm 4 ose 5 prej tyre janë rrëzuar në rrugën e kontestimit ligjor, në Kolegjin Zgjedhor, një nga të cilat është edhe konsiderimi si i vlefshëm i fletëve me një vulë në QV 3052, në Ruzhdie. KQZ-ja, duke qenë e shqetësuar për fenomenin që trajtuam më sipër dhe duke pasur parasysh dhe praktikën e zgjedhjeve të pjesshme parlamentare në Shijak, në mars të vitit 2007, u përpoq t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë këtij problemi. Por Kolegji Zgjedhor, në kundërshtim me vendimin e po këtij Kolegji në rastin e zgjedhjeve në Shijak, i konsideroi të pavlefshme ato fletë votimi, duke rrëzuar vendimin e KQZ-së. Sigurisht që gjykata ka fjalën e fundit dhe të gjithë jemi të detyruar të respektojmë vendimin e saj, por kjo nuk e cenon aspak integritetin e KQZ-së, vendimet e së cilës janë vlerësuar si të drejta në shumicën dërrmuese të tyre nga gjykata, por jo vetëm nga ajo. Fakti që në punën e vet, KQZ ka operuar gjithmonë me profesionalizëm dhe duke e bazuar veprimtarinë e saj në zbatimin me rigorozitet të ligjit, vlerësohet dhe nënvizohet qartë në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR. Shprehimisht ndër të tjera thuhet: “Pavarësisht kufizimeve të mëdha kohore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i përgatiti dhe i administroi zgjedhjet me profesionalizëm, si dhe mori një sërë hapash për rritjen e transparencës së procesit. Mbledhjet e KQZ-së ishin përgjithësisht transparente dhe u zhvilluan me profesionalizëm. Personeli i drejtorive të ndryshme të KQZ-së i kreu detyrat e tij përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe me paanshmëri. Në përpjekje për të rritur transparencën, KQZ-ja e përditësonte rregullisht faqen e saj të internetit dhe transmetonte direkt (ose ‘on-line’) të gjitha seancat e KQZ-së në internet”. Por, mendoj se ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve, pas vendimit të gjykatës, i cili i hoqi mundësinë KQZ-së të shmangë fenomenin e largimit të komisionerëve me vulën në xhep, është se si mund të gjejmë një mënyrë tjetër për ta eliminuar përfundimisht këtë rast. Praktikisht ka dy mënyra: opinioni, nëpërmjet medias, duhet ta dënojë i pari këtë fenomen, gjë që nuk po ndodh, dhe drejtësia duhet ta dënojë ashpër, gjë që gjithashtu nuk po ndodh. Rruga e dytë është të bëhen ndryshime ligjore për eliminimin e fenomenit, rrugë e cila duhet nxitur dhe përkrahur.

Z. Ristani, ka disa opinione, të cilat marrin shkas sërish nga ‘Ruzhdia’, ku KQZ-ja akuzohet për standard të dyfishtë gjykimi, pasi në rastin e saj, me kërkesën e dy anëtarëve, u rivlerësuan fletët e votimit, ndërsa në raste të tjera si për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën, kërkesa e ngjashme e dy kolegëve të propozuar nga opozita u rrëzua prej jush. Si e argumentoni këtë vendimmarrje?

Të tilla akuza, për hir të së vërtetës, bëhen jo duke u bazuar mbi interpretimin e drejtë të çështjeve dhe as duke lexuar profesionalisht ligjin. Ata që i ngrenë këto akuza e shohin apo e trajtojnë tekstin ligjor si të ishte roman artistik. Në përgjigjen time, për të qenë më i kuptueshëm për lexuesin tuaj, do t’u referohem dy nga argumenteve ku u bazua KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor në trajtimin e këtyre çështjeve. 1. Që KQZ të trajtonte dhe të zgjidhte me vendim një çështje sikundër është edhe kjo që po trajtojmë, duhet së pari që palët në proces të kenë pasur mosmarrëveshje. Në rast se nuk ka mosmarrëveshje KQZ-ja apo edhe gjykata nuk kanë objekt për punën e tyre. Në rastin tonë, në QV 3052, në Ruzhdie, subjektet politike garuese në zgjedhje kishin mosmarrëveshje për vlerësimin ose jo të 440 fletëve të votimit me një vulë dhe këtë erdhën për ta zgjidhur në KQZ. Ndërsa në procesin e votimit dhe numërimit në Berat, Shkodër apo Tiranë komisionerët e QV-ve, numëruesit, komisionerët e KZAZ-ve, vëzhguesit politikë, kandidatët për deputet, vëzhguesit vendorë dhe ata të huaj nuk kishin konstatuar asnjë mosmarrëveshje, për të cilën më pas subjektet politike t’i drejtoheshin KQZ-së për ta zgjidhur. Për dijeninë tuaj, asnjë nga këta qindra apo mijëra njerëz nuk kanë bërë qoftë edhe një shënim të vetëm për parregullsi gjatë procesit. Ata janë të vetmit që mund të krijojnë mosmarrëveshjen, e cila vjen për t’u zgjidhur në KQZ. Në të kundërt nuk është as KQZ-ja dhe as Gjykata, të cilët vetë i lindin mosmarrëveshjet dhe po vetë i zgjidhin më pas. 2. Argumenti i dytë, për të sqaruar se KQZ-ja nuk ka mbajtur dy qëndrime të ndryshme, bazohet në termin ligjor “vota të caktuara”. Vota të caktuara janë ato vota që gjatë procesit zgjedhor, për arsye të ndryshme, janë “individualizuar”. Thënë ndryshe diçka ka ndikuar që ato vota të dallojnë nga të tjerat. Të tilla ishin 440 votat me një vulë në Ruzhdie. Fakti se ato mbartnin vetëm një vulë, i dallonte nga të tjerat. Krejtësisht në të kundërt votat e gjithë Qarkut të Beratit, Tiranës, Shkodrës apo çdo qarku tjetër, nuk mund të jenë apo të konsiderohen vota të caktuara. Vetëm nëse bëjmë arsyetimin jo ligjor të natyrës se ja: janë vota të Beratit, pra janë të caktuara për këtë fakt. Realisht, ky arsyetim do ta bënte situatën krejtësisht qesharake, sepse me këtë arsyetim mund të thonim se votat e Shqipërisë janë të gjitha të caktuara, sepse nuk janë p.sh. vota të Italisë apo ndonjë shteti tjetër. Besoj se vetëm këto dy argumente mjaftojnë për të bindur ata që nuk e lexojnë ligjin si roman se, KQZ-ja nuk ka mbajtur aspak qëndrime të ndryshme për çështje afërsisht të njëjta. Por lidhur me këtë rast po i referohem sërish raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, ku thuhet se “Apelimet u shqyrtuan nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor në mënyrë profesionale dhe të drejtë, duke u dhënë atyre zgjidhje efektive”.

Z. Ristani, pas më shumë se shtatë muajsh opozita shqiptare, që është palë në procesin zgjedhor, ia ka dalë që të imponojë inicimin e një hetimi parlamentar mbi zgjedhjet. A ngre pikëpyetje ky proces mbi integritetin e zgjedhjeve; pra në mos të manipuluara, a mund të flasim për zgjedhje të cenuara pjesërisht në rezultatin e tyre?

Besoj se e sqarova edhe më sipër: jam i bindur se rezultati i zgjedhjeve është ai që KQZ-ja ka shpallur, në një votim absolut 7 me 0 dhe nuk mund të ndryshojë pas çdo lloj verifikimi. Dhe, nëse nuk do të isha kaq i ndjeshëm dhe rigoroz ndaj ligjit dhe shtetit ligjor (si rezultatit dhe i formimit tim juridik), do të dëshiroja të kisha vërtet mundësi t’i rinumëroja edhe një herë fletët e votimit, për të bërë të mundur që të flenë rehat të gjithë ata që dyshojnë tek integriteti i zgjedhjeve. Për të qenë i sinqertë, nga ana tjetër, më duhet të pohoj se probleme ka pasur gjatë procesit dhe këto probleme janë tashmë të evidentuara dhe të gjithëpranuara. Mjafton të lexosh raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it dhe do kuptosh se as çështja “Ruzhdie” dhe as askush tjetër nuk ka evidentuar aq shumë shkelje sa vetë ky raport. Por, e theksoj se shkeljet janë të tilla që nuk ndikuan në rezultat apo në arritjen e standardeve, edhe pse jo ato të nivelit më të lartë ndërkombëtar.

Cila është, sipas jush, pika më e dobët në administrimin zgjedhor që do të duhet të korrektohet dhe sa ka ndikuar ajo në procesin elektoral të vitit 2009?

Pika më e dobët, jo vetëm e këtij procesi zgjedhor, por edhe e proceseve të mëparshëm mbetet ajo që KQZ-ja e ka reklamuar që në fillim të punës së saj: besimi i palëve te procesi. Për shkak të mungesës së këtij besimi, e theksoj te procesi dhe jo te njëra-tjetra, palët kanë përdorur taktika elektorale të kundërligjshme. Për shkak të mungesës së këtij besimi, procesi ynë elektoral është super i ngarkuar me masa sigurie, gjë që e vështirëson shumë menaxhimin e tij. Dhe, për të njëjtin shkak, sado të modernizosh logjistikën zgjedhore, rezultati do të jetë i njëjtë. Për mendimin tim, e vetmja rrugë është që politikëbërësit të ndryshojnë mentalitetet, ndryshim të cilin zhvillimi demokratik do ta sjellë patjetër.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›