E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektimi në prokurori, ekzekutivi shkeli ligjin

Kontrolli Raporti i Ministrisë së Drejtësisë u rrëzua në Këshillin e Prokurorisë: Shkeli kompetencat

Raporti i Ministrisë së Drejtësisë, gjatë kontrollit në Prokurorinë e Tiranës, është rrëzuar disa ditë më parë nga këshilli i akuzës qendrore, me arsyetimin se kishte kaluar kompetencat. Ministria ka inspektuar dosje për të cilat nuk ka pasur kompetencë ligjore. Si pasojë, grupi i ministrisë ka verifikuar dhe ka nxjerrë konkluzione edhe për çështje që nuk kanë qenë objekt i kontrollit. Burime nga akuza qendrore thanë se ”Këshilli ka miratuar raportin e përgatitur nga akuza qendrore, duke ‘rrëzuar’ pretendimet e ministrisë, për të cilin doli në përfundim se ka qenë jashtë kompetencave që i njeh ligji për inspektimin e dosjeve penale”. Sipas të dhënave nga Këshilli i Prokurorisë, ministria kishte gjetur rreth 280 dosje me shkelje në akuzën e kryeqytetit, ndërsa raporti i prokurorisë i kishte përgjysmuar këto dosje, pra rreth 180 çështje. Sipas të dhënave, raporti është përgatitur pas një kontrolli të 5000 çështjeve, ndërsa përqindja e gabimeve është shumë e ulët duke e krahasuar me gabimet e gjyqtarëve. Akuza qendrore e cilëson si “ndërhyrje” të ekzekutivit kontrollin e dosjeve penale nga Ministria e Drejtësisë, për të cilat nuk i lejon ligji “Për Prokurorinë”. Ky ligj përcakton se objekti i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në organin e prokurorisë është ndjekja e ecurisë së çështjeve për luftën kundër kriminalitetit, afatet e hetimit, afatet e paraburgimit, respektimi i të drejtave të njeriut, vijueshmëria e kryerjes të veprimeve hetimore etj. Megjithatë, dispozitat e nenit 56 të ligjit “Për Prokurorinë” nuk janë zbatuar nga inspektorët e ministrisë, të cilët u kanë kërkuar llogari prokurorëve përse nuk kanë marrë në pyetje dëshmitarë konkretë. Sipas akuzës, raporti ka shkelje të rënda që lidhen me kompetencat, të cilat i janë dërguar Këshillit të Prokurorisë. Ky i fundit ka votuar për rrëzimin e raportit të qeverisë, pasi është cilësuar si i “paligjshëm”. Vlen për t’u përmendur se inspektimi në akuzën e kryeqytetit ka filluar disa orë pasi në regjistrin e veprave penale është regjistruar emri i Damir Fazlliç si person nën hetim. Kontrolli është kryer gjatë kohës që në postin e Ministrisë së Drejtësisë ishte Enkelejd Alibeaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›